Pas vdekjes së biznesmenit amerikan me origjinë ukrainase, Leonid Radvinsky, në moshën 43-vjeçare nga kanceri, e ardhmja e platformës globale të përmbajtjes për të rritur OnlyFans hyn në një fazë të re dhe të pasigurt.
Sipas raportimit të The Guardian, kontrolli mbi kompaninë pritet të kalojë në mënyrë indirekte te bashkëshortja e tij, Yekaterina “Katie” Chudnovsky.

Chudnovsky, e cila deri më tani ka mbajtur një profil të ulët publik, njihet më shumë për angazhimin në filantropi dhe punën si juriste në sektorin e teknologjisë. Në biografitë online, ajo përshkruhet si nënë e katër fëmijëve dhe e përkushtuar ndaj kauzave sociale, veçanërisht kërkimit kundër kancerit. Pornografia nuk ka qenë pjesë e narrativës së saj publike, por kjo mund të ndryshojë.
Tashmë, ajo pritet të ketë rol kyç në vendimmarrjen strategjike për platformën që e bëri bashkëshortin e saj miliarder përpara moshës 40 vjeç. Vlera e aksioneve familjare llogaritet rreth 5.5 miliardë dollarë.
Një “makinë” fitimi globale
OnlyFans ka ndërtuar një model biznesi shumë fitimprurë. Platforma merr rreth 20% komision nga të ardhurat e rreth 4 milionë krijuesve të përmbajtjes në mbarë botën.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre të ardhurave vjen nga përmbajtje eksplicite, megjithëse kompania ka tentuar të pozicionohet si rrjet social më i gjerë.
Në vitin 2024, kompania me vetëm 42 punonjës gjeneroi rreth 7.2 miliardë dollarë të ardhura, një shifër që e vendos atë mes historive më të suksesshme të teknologjisë britanike.
Debati mbi ndikimin dhe etikën
Megjithatë, modeli i biznesit mbetet i debatueshëm.
Kritikët argumentojnë se platforma ka kontribuar në normalizimin e konsumit të pornografisë në shkallë globale. Akademikja Gail Dines e ka cilësuar Radvinskyn si “një figurë jashtëzakonisht kontroverse”, duke vënë në dyshim mënyrën se si perceptohet suksesi i tij.
Nga ana tjetër, analistët financiarë theksojnë se OnlyFans funksionon më shumë si një kompani teknologjike sesa një biznes tradicional i pornografisë, duke u fokusuar në optimizimin e të dhënave, trafikut dhe monetizimit.
Përpjekje për diversifikim
Platforma ka tentuar disa herë të largohet nga përmbajtja eksplicite, kryesisht për të shmangur presionin nga institucionet financiare. Në vitin 2021, ajo njoftoi ndalimin e përmbajtjes seksuale, por u tërhoq brenda pak ditësh.
Së fundmi, është lançuar edhe një platformë dytësore, OFTV, e fokusuar në përmbajtje “safe-for-work” si fitnesi dhe gatimi. Megjithatë, vetë punonjësit pranojnë se fitimet kryesore vijojnë të vijnë nga përmbajtja për të rritur.
Sipas të dhënave të përmendura nga The Guardian, kërkesa për përmbajtje pornografike mbetet në rritje. Rreth 29% e përdoruesve të internetit në Mbretërinë e Bashkuar kanë vizituar faqe të tilla në vitin 2023, ndërsa një raport i vitit 2025 tregon se 70% e të rinjve kanë hasur përmbajtje pornografike online.
Megjithëse platforma shihet si mundësi për pavarësi financiare, realiteti është më kompleks. Një numër i vogël krijuesish arrijnë të fitojnë miliona, ndërsa shumica përfitojnë të ardhura modeste, shpesh më pak se 100 paund në muaj, sipas vlerësimeve të industrisë.
OnlyFans është përballur edhe me kritika për përmbajtje të paligjshme ose jo-konsensuale. Kompania deklaron se ka politika strikte verifikimi dhe një qasje “zero tolerancë” ndaj shkeljeve, duke përdorur mbi 1 mijë e 500 moderatorë dhe inteligjencë artificiale për monitorim.
E ardhmja pas Radvinsky-t
Pavarësisht ndryshimeve në pronësi, drejtimi i përditshëm i kompanisë mbetet në duart e CEO-s Keily Blair. Sipas burimeve të brendshme, vdekja e Radvinskyt ishte parashikuar dhe planet për vazhdimësi janë tashmë në fuqi.
Megjithatë, pyetja kryesore mbetet: a do të ndryshojë drejtimi strategjik i OnlyFans nën ndikimin e Chudnovsky-t?
Vendimet e saj pritet të përcaktojnë nëse platforma do të vazhdojë të mbështetet te përmbajtja për të rritur si burimi kryesor i të ardhurave, apo do të përpiqet të transformohet në një platformë më të gjerë dhe më të pranueshme për publikun e gjerë.
© SYRI.net