Ian Duncan - Washington Post
Një juri në Los Anxhelos dha të mërkurën një vendim të rrallë kundër gjigantëve të Silicon Valley — i dyti brenda dy ditësh — duke rritur shpresat e aktivistëve për sigurinë se gjykatat do të sjellin më në fund një përballje të shumëpritur me dëmet që rrjetet sociale u shkaktojnë fëmijëve.
Juria shpalli fajtorë për neglizhencë kompaninë Meta, që operon Facebook dhe Instagram, si edhe platformën video YouTube, dhe akordoi 6 milionë dollarë dëmshpërblim për një të re që pretendoi se ishte bërë e varur nga shërbimet e tyre që në fëmijëri. Vendimi erdhi pas një gjyqi njëmujor, ku dëshmoi edhe themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, dhe vetëm një ditë pasi një juri në New Mexico urdhëroi Metën të paguajë 375 milionë dollarë gjobë për rrezikimin e fëmijëve.
Dy vendimet sinjalizojnë çarje në mbrojtjet ligjore që për dekada i bënë kompanitë teknologjike pothuajse të paprekshme, ndërsa avokatët i akuzojnë platformat se kanë futur qëllimisht veçori varësuese ose të dëmshme në produktet e tyre. Mijëra çështje të tjera presin të shqyrtohen, me përdorues të rinj, prindër, shkolla dhe prokurorë shtetërorë që kërkojnë dëmshpërblime dhe ndryshime në mënyrën si funksionojnë rrjetet sociale. Në total, kompanitë përballen me dëmshpërblime potencialisht transformuese.
Pas viteve të tëra vëzhgimi pa shumë veprime konkrete, disa aktivistë thonë se këto rezultate sinjalizojnë fillimin e një epoke të re. Jim Steyer, drejtor ekzekutiv i Common Sense Media, u shpreh se gjykatat, legjislaturat shtetërore dhe qeveritë e huaja po bashkërendohen për të riformësuar Silicon Valley. “Kemi një moment shumë të madh,” tha ai. “Kemi 15 vite që e themi: këto janë platforma varësuese.”
Ekipi ligjor i të resë që ngriti padinë në Los Anxhelos tha se juria u bind nga provat se kompanitë i njihnin rreziqet e teknologjisë së tyre. “Për vite me radhë, kompanitë e rrjeteve sociale kanë përfituar duke synuar fëmijët, ndërsa kanë fshehur veçoritë e tyre varësuese dhe të rrezikshme,” deklaruan avokatët.
Ekspertët paralajmërojnë se, për shkak të numrit të madh të çështjeve të tjera në pritje, Meta dhe kompani të tjera përballen me pagesa potencialisht shumë të mëdha. “Kjo është vetëm maja e ajsbergut,” tha Clay Calvert nga American Enterprise Institute.
E reja që ngriti padinë — e identifikuar si K.G.M. ose Kaley — pretendoi se kishte pësuar ankth dhe depresion pas përdorimit të Instagramit dhe YouTube gjatë fëmijërisë. Padia u fokusua te mënyra si janë ndërtuar platformat, duke argumentuar se ato janë dizenjuar për të mbajtur përdoruesit të lidhur pas ekranit me veçori si “scroll” i pafund.
Megjithatë, ekspertët thonë se çështja nuk ishte e lehtë, pasi nuk ka një përkufizim të pranuar gjerësisht për varësinë nga rrjetet sociale, dhe kompanitë përpiqen të vënë në dyshim lidhjen mes teknologjisë dhe problemeve të shëndetit mendor.
Vendimi përfundimtar nuk ishte unanim, por me raport votash 10-2, juria arriti në përfundimin se kompanitë ishin në dijeni të rreziqeve dhe nuk i paralajmëruan përdoruesit.
Meta i mohoi akuzat dhe deklaroi se merr masa për sigurinë e të rinjve, duke njoftuar se do të apelojë vendimet. “Shëndeti mendor i adoleshentëve është shumë kompleks dhe nuk mund të lidhet me një aplikacion të vetëm,” tha kompania.
Edhe YouTube njoftoi se do të apelojë, duke theksuar se është një platformë transmetimi e ndërtuar me përgjegjësi dhe jo një rrjet social. Ndërkohë, Snap dhe TikTok ishin gjithashtu në padi, por arritën marrëveshje para gjyqit.
Aktivistët për mbrojtjen e fëmijëve në internet i krahasojnë këto çështje me proceset gjyqësore kundër industrisë së duhanit, që mund të çojnë në një përballje të gjerë për të gjithë industrinë.
Në New Mexico, hetuesit e Departamentit të Drejtësisë ngritën një çështje duke pretenduar se platformat e Metës janë bërë terren për grabitqarë seksualë të fëmijëve. Juria në Santa Fe vendosi në favor të shtetit, ndërsa në maj pritet që prokuroria të kërkojë ndryshime konkrete në sistemet e kompanisë për mbrojtjen e fëmijëve.
Një gjyq i tretë pritet të nisë muajin e ardhshëm në një gjykatë federale, lidhur me një distrikt shkollor në Kentucky, ku kërkohen dëmshpërblime për ndikimin e rrjeteve sociale në procesin mësimor, si dhe masa si verifikimi i moshës dhe kontrolli prindëror.
Ndërkohë, në Uashington, përpjekjet për rregullimin e Big Tech kanë qenë të kufizuara, por këto vendime mund t’i japin shtysë të re Kongresit për të miratuar ligje për sigurinë e fëmijëve në internet. Senatorja Marsha Blackburn u shpreh se është koha që të miratohet ligji për sigurinë online të fëmijëve, duke theksuar se kompanitë teknologjike duhet të mbajnë përgjegjësi për produktet e tyre. /Washington Post/
© SYRI.net