Dy makina fluturuese u përplasën në ajër gjatë një prove në një shfaqje në Kinë, e cila ishte menduar të shërbente si ekspozitë e kësaj teknologjie.
Automjetet Xpeng, AeroHT u përplasën në ajër dhe njëra prej tyre mori flakë gjatë uljes, tha kompania në një deklaratë për Reuters.
Sipas kompanisë, personat në vendngjarje janë të sigurt, por CNN raportoi se një person ka mbetur i plagosur, duke cituar një punonjës anonim.
Provat u zhvilluan të marten (16 shtator) për Panairin Ajror të Changchun-it, që pritet të nisë këtë javë në verilindje të Kinës.
Pamje të publikuara në rrjetin social kinez Weibo tregonin një automjet në flakë në tokë, ndërsa zjarrfikësit po ndërhynin.
Makineritë fluturuese elektrike ngrihen dhe ulen vertikalisht, dhe kompania synon t’i shesë ato me një çmim rreth 300 mijë dollarë (220 mijë £) secila.
Në janar, Xpeng pretendoi se kishte marrë rreth 3,000 porosi për këtë model.
Kompania kineze që është një nga prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve elektrike (EV) në botë, kohët e fundit është zgjeruar edhe në Evropë. Automjetet fluturuese prodhohen nga filiali i saj, AeroHT.
Kjo formë transporti përballet ende me sfida të mëdha në infrastrukturë, rregullore dhe pranueshmëri publike.
Analistë të ndryshëm thonë se Kina po përpiqet të përsërisë suksesin e saj me automjetet elektrike, duke shtyrë adoptimin e hershëm të një teknologjie që besohet se në të ardhmen do të përdoret gjerësisht.
© SYRI.net