Kompania koreano-jugore Samsung Electronics parashikon një fitim operativ për tremujorin e dytë që do të jetë më pak se gjysma e atij të një viti më parë. Fitimi pritet të jetë rreth 4.6 trilionë won koreanë (2.86 miliardë euro), duke regjistruar një rënie prej 56% krahasuar me 10.44 trilionë won në të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Paralajmërimet vijnë në një kohë kur tarifat tregtare dhe kufizimet e SHBA-së ndaj Kinës vazhdojnë të ndikojnë rëndë në biznesin e Samsung-ut, veçanërisht në sektorin e çipave të memories dhe telefonave inteligjentë. Kompania pret që të ardhurat nga shitjet për tremujorin që përfundon në qershor 2025 të qëndrojnë në rreth 74 trilionë won (46 miliardë euro), pa ndryshime nga viti i kaluar.
Analistët vlerësojnë se kufizimet amerikane mbi eksportin e teknologjisë për Kinën, veçanërisht në fushën e gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale, kanë goditur rëndë gjigantin teknologjik korean. Po ashtu, Samsung është prekur edhe nga tarifat e reja të SHBA-së prej 25% mbi mallrat e importuara nga Koreja e Jugut dhe Japonia, që hynë në fuqi më 1 gusht.
Megjithatë, eksportet e gjysmëpërçuesve nga Koreja e Jugut shënuan një rekord në qershor me një rritje prej 11.6%, duke dhënë shpresë për rimëkëmbje në sektor. Për të rritur vlerën për aksionarët, Samsung njoftoi një program riblerjeje aksionesh me vlerë 3.9 trilionë won, ndërkohë që çmimi i aksioneve ra lehtë me 0.5% në Seul, por mbetet 15% më i lartë krahasuar me një vit më parë.
© SYRI.net