Ligji për legalizimet do të ndryshojë. Ja çfarë do të ndodhë me 160 mijë objekte të bllokuara

Ligji për legalizimet do të ndryshojë. Ja çfarë do të ndodhë me 160 mijë objekte të bllokuara

14:31, 22/08/2017
A+ Aa A-

Agjencia e Legalizimit të Ndërtimeve Informale ka gati ndryshimet ligjore, të cilat do të japin zgjidhje për objektet, për të cilat legjislacioni aktual nuk e lejon legalizimin e e tyre”. Lajmi është bërë me dije nga drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni, Artan Lame, i cili shtoi se këto ndryshime synojnë edhe përmbylljen tërësore të procesit të legalizimeve përgjatë mandatit të ardhshëm 4-vjeçar.

“Përmbyllja tërësore e procesit të legalizimeve dhe gjetja e zgjidhjeve ligjore për objektet për të cilat legjislacioni aktual nuk e lejon legalizimin e tyre. Bashkë për këto arsye jemi duke përgatitur një bllok ndryshimesh dhe përmirësimesh ligjore, si dhe propozimet përkatëse për t’i dhënë udhë këtyre problematikave komplekse”, tha Lame.

I pyetur nga TV SCAN, Lame tha se përfitues të këtyre ndryshimeve ligjore do të jenë objekte të ndërtuara mbi rrugë, anës rrugës apo mbi kolektorë. Po ashtu, pjesë e procesit do të jenë edhe ndërtime informale të ndërtuara buzë detit, nëpër zona të mbrojtura, afër hekurudhës, etj. Sipas Lames, procesi i miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore do të kërkojë 2-3 muaj kohë, deri në miratimin e tyre në parlament. Kreu i ALUZINI-t nuk dha shifra të sakta rreth objekteve që pritet të përfitojnë nga ligji i ri, por theksoi se është një numër i konsiderueshëm. Ndërkaq, sa i takon analizës së 4-vjeçarit, Lame tha se procesi i legalizimeve të objekte që janë brenda kritereve ligjore, është përmbyllur në masën 88%.

“Nga 323 mijë objekte që ishin në sistem, në 306 mijë e 800 prej tyre, pra në 95% procesi i matjeve në terren ka përfunduar tashmë. Nga shitja e parcelës ndërtimore për rastet kur trualli është me pronar u grumbulluan 4.8 miliardë lekë, të cilat kanë shkuar për kompensimin e ish-pronarëve të tyre, proces nga i cili kanë përfituar 15 mijë e 68 ish pronarë”, shtoi Lame.

Ndërkaq, kreu i ALUZINI-t njoftoi se të gjithë punonjësit e strukturave ekzistuese në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen një konkursi, duke filluar me drejtorët, shefat e sektorëve, specialistët e deri te punonjësit e terrenit. Po ashtu, ai tha se brenda pak ditësh do të hapet konkursi edhe për punësime të reja.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco