Ngadalësohet tregtia/ Pas TVSH-së, rrudhet edhe indeksi i shitjeve me pakicë

Ngadalësohet tregtia/ Pas TVSH-së, rrudhet edhe indeksi i shitjeve me pakicë

19:02, 13/06/2017
A+ Aa A-

Shitjet me pakicë në ekonomi u ngadalësuan ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit. Instituti i Statistikave deklaroi se indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë u rrit me vetëm 2,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Dy tremujorët e mëparshëm rritja ishte 6.4 dhe 8.2 për qind, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2016 shitjet me pakicë u rritën me 4.6 për qind krahasuar me një vit më parë.

Image

Sipas INSTAT, ngadalësimi i shitjeve ka ardhur nga rënia e volumit të shitjeve në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”.

Shitjet me pakicë janë treguesi më i afër që mat ecurinë e konsumit në ekonomi. Ngadalësimi i tyre në tremujorin e parë sinjalizon një rrudhje të konsumit.   

Ndryshimet

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 2 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm. 

Në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është ulur 0,2 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016.

Indeksi i volumit të shitjeve, për grupin “Produkte jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara (përjashtuar tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara)”, është rritur

në nivelin 3,3 %, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit paraardhës, duke dhënë në këtë tremujor ndikimin kryesor në indeksin e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë.

Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 3,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016.

Ra dhe TVSH

Rënia e shitjeve ishte paralajmëruar më parë nga treguesi i të ardhurave që mblidhen nga Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.  Të ardhurat buxhetore u rritën me 6.6 për qind në 4 muajt e parë të vitit, por Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që mblidhet në tregun e brendshëm, shënoi një ecuri të dobët.

Sipas Ministrisë së Financave në periudhën Janar-Prill të ardhurat nga TVSH e brendshme ishin 12%, ose 1.5 miliardë lekë më të ulëta se plani i periudhës. Më konkretisht sipas të dhënave, për katër mujorin tatimet mblodhën 11.7 miliardë lekë tvsh e brendshme, nga 13.2 miliardë që ishte plani.  /SYRI.net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco