Vendimi - 300 milion lekë/ Ja kushtet për të përfituar nga Fondi i Ekonomisë Kreative

Vendimi - 300 milion lekë/ Ja kushtet për të përfituar nga Fondi i Ekonomisë Kreative

19:29, 11/01/2017
A+ Aa A-

Mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla që operojnë në sektorin e artizanatit kanë mundësi që përmes projekteve të marrin ndihmë financiare.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative, me vlerë të përgjithshme 30 milionë lekë (të reja), për periudhën 2017-2019. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10 milionë lekë.

Në varësi të projektit konkurrues, të përgatitur nga aplikantët, skema mbulon 80 për qind të kostove të miratuara, por jo më shumë se 500 mijë lekë, sqarohet në vendimin që hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

“Procedurat e aplikimit dhe të monitorimit përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Ekonomisë Kreative (Artizanatit), e cila miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe të ministrit të Financave. Aplikuesit janë të detyruar të raportojnë periodikisht pranë AIDA-s lidhur me zhvillimin e projektit dhe qëllimin për të cilin është përfituar ky fond”, thuhet në vendim.

Fondi i Ekonomisë Kreative, përveç buxhetit të shtetit, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Nuk përfitojnë nga ky fond sipërmarrjet që kanë përfituar për të njëjtin projekt nga fonde të akorduara nga donatorët apo institucionet financiare ndërkombëtare.

Në kostot e miratuara, që mund të bashkëfinancohen, përfshihen kostot për projektet që përzgjidhen nga sektori i artizanatit dhe që mbulojnë fushat e mëposhtme:

- Zhvillimin e produkteve të reja;

- Blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit;

- Marketingun e produktit;

- Kualifikimin dhe ndërtimin e kapaciteteve njerëzore të ndërmarrjes aplikuese.

Mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla, që përfitojnë nga Fondi i Ekonomisë Kreative:

- Janë të klasifikuara si mikrondërmarrje ose ndërmarrje të vogla, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla e të mesme”, të ndryshuar;

-  Janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), sipas legjislacionit në fuqi;

- Kanë si objekt të aktivitetit një nga veprimtaritë që përfshihen në termin artizanat ose zejtari;

-  Kanë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit;

-  Prodhojnë në Shqipëri produkte, të cilat, aktualisht, tregtohen brenda vendit, eksportohen jashtë ose krijojnë vende të reja pune;

-  Demonstrojnë se aktivitetet që propozohen për mbështetje nga Fondi i Ekonomisë Kreative (Artizanatit) janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre, duke treguar se ato kanë:

- Nevojë për t’u përmirësuar, gjë që do të preket nga aktivitetet e propozuara;

-  Një vlerësim mbi përfitimet e biznesit nga përmirësimi/projekti,  në bazë të të cilit do të zhvillohen aktivitetet e propozuara;

- Një plan biznesi ose një projekt, duke provuar sa më sipër, i cili do të integrohet dhe materializohet më tej nga aktivitetet e propozuara.

 - Tregojnë që ato nuk kanë mundësi të vazhdojnë në mënyrë optimale pa asistencë;

- Janë në gjendje të financojnë 50 për qind të të gjitha kostove të projektit të propozuar para përfundimit të tij.

Sipas vendimit: “Për qëllime të këtij fondi, mund të merren në konsideratë vetëm produktet materiale zejtare/artizanale. Pagesa e subvencionit bëhet 50 për qind me miratimin e projektit dhe 50 për qind në fund të zbatimit të tij. Pagesa në fund të projektit bëhet kundrejt faturave të shpenzimeve të kryera për vlerën e përgjithshme të projektit”.

/Syri.net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco