Guvernatori Sejko: Informaliteti, rrezik kombëtar…

Guvernatori Sejko: Informaliteti, rrezik kombëtar…

16:36, 14/11/2017

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, e konsideroi informalitetin një rrezik kombëtar për ekonominë.

Sejko u kërkoi bankave të nivelit të dytë që të jenë më të kujdesshme në luftën ndaj këtij fenomeni, i cili ndikon në kreditimin e ekonomisë.

“Dua të ndalem edhe tek kontributi i sektorit bankar në luftën kundër informalitetit, një fenomen ky mjaft i dëmshëm, fatkeqësisht me një shtrirje ende të gjerë në ekonominë shqiptare, aq sa mund të konsiderohet një rrezik serioz për stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendit. Edhe në këtë drejtim, roli i sistemit bankar është tejet i rëndësishëm.

 Përdorimi i të dhënave të çertifikuara nga autoritetet, si përsa i takon bilanceve të kompanive, ashtu edhe aktorëve të tjerë ekonomikë, është kthyer në një domosdoshmëri”, tha Sejko.

Sipas tij, reforma ndaj informalitetit është ndër më prioritaret për autoritetet shqiptare dhe sektori bankar, me rrjetin e tij, ekspertizën dhe njohuritë që shumë prej jush i mbartin me vete nga vendet e origjinës të grupit bankar të cilit i përkasin, duhet të ofrojë ndihmesën e tij në këtë qëllim të përbashkët.

Deklarata e guvernatorit vjen në një kohë kur qeveria ka nisur për të tretën herë një aksion të gjerë për të luftuar evazionin dhe informalitetin.

 “Sistemi bankar ka mbështetur reforma të rëndësishme si në energji, në drejtësi, arsim etj. Por ne duam të shohim më shumë punë konkrete në drejtim të regjistrimit të pronave, luftë kundër korrupsionit, formalizim të ekonomisë, pasi ofrojnë më shumë qëndrueshmëri ekonomike dhe ndikojnë në zhvillimin e biznesit”, tha Sejko.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment