Nomadët dixhitalë duan Kroacinë, ja arsyet

Nomadët dixhitalë duan Kroacinë, ja arsyet

09:10, 12/03/2023
A+ Aa A-

Kroacia, e cila po vuan nga rënia demografike, është kthyer në një ‘destinacion popullor’ për nomadët dixhitalë, që janë kryesisht të huaj të rinj, të pasur dhe me arsim të lartë.

Ka me mijëra të tillë në vend, por një numër i vogël i atyre që duan të qëndrojnë gjatë e arrijnë këtë, sepse ligji nuk i lejon të qëndrojnë më shumë se një vit.

Mbyllja e laptopit në Tajlandë dhe fillimi i ditës së ardhshme të punës në një plazh në Kosta Rika, është një skenar i mundshëm për një ditë pune të zakonshme të një nomadi dixhital.

Edhe pse fraza ‘nomad dixhital’, është përhapur në vitin 1997, sot ka rreth 35 milionë nomadë dixhitalë në botë, dhe kjo po kthehet në një prirje që po rritet çdo vit. Sipas disa vlerësimeve, numri i tyre në botë do të arrijë në një miliard deri në vitin 2035.

Kroacia renditet lart në listën e destinacioneve të parapëlqyera të nomadëve dixhitalë, duke konkurruar vendet ekzotike, metropolet botërore dhe vendndodhje që shumë njerëz do t’i shohin vetëm nëpër kartolina.

Edhe pse të dhënat ndryshojnë në varësi të burimit të informacionit dhe kërkimit, sipas atij të realizuar nga platforma Nomad List, Kroacia është destinacioni më i parapëlqyer i nomadëve dixhitalë, në nivel global.

Kroacia është një shtet i vogël, por ka një ofertë të larmishme dhe në këtë mënyrë, tërheq grupe të ndryshme nomadësh dixhitalë, thekson Jan de Jong, themeluesi i Shoqatës Digital Nomad Croatia.

Në vitin 2020, ky holandez me një adresë kroate, nxiti ndryshime ligjore, falë të cilave, Kroacia ishte ndër vendet e para në Europë që prezantoi një vizë për nomadët dixhitalë që i lejon qytetarët e vendeve të treta të qëndrojnë në vend deri në një vit.

Në Kroaci vijnë 10 mijë nomadë dixhitalë në muaj

De Jong thekson se një nga arsyet kryesore për të ardhur në Kroaci, përveç infrastrukturës, e cila përfshin nevojën për një lidhje të mirë interneti dhe komunitetin tashmë të krijuar të nomadëve dixhitalë, është stili i jetesës që ofron Kroacia, mjaft i përballueshëm për nomadët nga ana financiare.

Një nomad dixhital i zakonshëm, fiton rreth 6,500 € në muaj, sipas Nomad List.

Në Kroaci, në fund të janarit të këtij viti, kishte 595 viza të vlefshme për nomadët dixhitalë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, por kjo shifër as nuk i afrohet numrit real të nomadëve dixhitalë në Kroaci, pasi vlen vetëm për shtetasit e vendeve të treta që qëndrojnë atje për më shumë se tre muaj.

Për të pasur një pasqyrë të plotë, duhet të merren parasysh edhe qytetarët e BE-së, të cilët mund të qëndrojnë lirisht për sa kohë që dëshirojnë në të gjithë territorin e bllokut, duke përfshirë Kroacinë, por gjithashtu duhet të shtohet edhe një numër i madh nomadësh dixhitalë nga vendet e treta, që qëndrojnë në Kroaci për më pak se tre muaj.

Ministria e Brendshme thotë se nuk mban statistika të veçanta për qëndrimin e dy kategorive të fundit të nomadëve, kështu që shifrat mund të merren me përafërsi.

Duke ndjekur tendencat për qytete kroate si Zadar, Split, Zagreb në platformën Nomad List, De Jong arrin në përfundimin se afërsisht 5000 nomadë dixhitalë vijnë në Kroaci çdo muaj. Ndërsa, nëse merret si e mirëqenë se çdo nomad dixhital qëndron dy muaj në Kroaci, mund të thuhet se çdo muaj në Kroaci vijnë rreth 10 mijë të tillë.

Ndërkohë, megjithëse Kroacia ishte një nga vendet e para europiane që e vendosi këtë vizë, të njëjtën gjë bënë edhe vende të tjera europiane.

Përveç kushteve bazë që duhen plotësuar, pra që ata të punojnë në distancë, ose të jenë të vetëpunësuar dhe të kenë një shumë minimale të ardhurash mujore, e cila varion, nga 2300 euro në muaj në Kroaci dhe mbi 6000 euro në Islandë, për nomadët dixhitalë është përcaktuar edhe maksimumi i kohëzgjatjes së qëndrimit.

Kroacia është një nga vendet më të rrepta, sepse nëse nomadëve u pëlqen vendi dhe duan të qëndrojnë aty për më shumë se një vit, ata duhet të largohen nga vendi për të paktën gjashtë muaj në mënyrë që të mund të aplikojnë sërish për vizë.

Nga ana tjetër, në vendet e tjera europiane është përgjithësisht e mundur që të zgjatet viza, për shembull, në Republikën Çeke, është e mundur të zgjatet për një periudhë trevjeçare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco