Si dhe pse Kalifornia po shndërrohet nga ‘ëndërr’ në ‘makth’ për banorët e saj

Si dhe pse Kalifornia po shndërrohet nga ‘ëndërr’ në ‘makth’ për banorët e saj

15:48, 07/12/2021
A+ Aa A-

Kur flitet për stilin e jetesës amerikane, natyrshëm të vjen në mend gjallëria dhe ritmet e çmendura të Nju-Jorkut, ose stili më i qetë i Kalifornisë.

Kjo e fundit, prej dekadash, ka qenë simboli i standardit të jetesës, të një shoqërie më tolerante dhe liberale, të plazheve të gjera, dhe natyrisht të vilave madhështore ku banojnë yjet e Hollivudit. Një parajsë edhe ekonomike, ku sipërmarrjet e reja të përqendruara teknologjike në Silicon Valley kishin bërë të mundur që shteti perëndimor i SHBA-së të përfaqësonte rreth 1/5 të GDP-së amerikane.

Por ky vizion romantik i një prej shteteve më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka nevojë për një përditësim rrënjësor, dhe fatkeqësisht jo për mirë.

Në rrugët kryesore të San Franciskos dhe Los Anxhelosit, çdo ditë e më shumë pikasen çadra të dimensioneve dhe ngjyrave të ndryshme, të ngritura buzë rrugës, dhe të banuara  tashmë nga mijëra persona. Nuk bëhet fjalë vetëm për emigrantët e shumtë pa dokumente që kalojnë përditë kufirin meksikan.

Një pjesë e mirë e tyre janë shtetas amerikanë, që nuk kanë më mundësi të paguajnë qiranë e banesës, dhe aq më shumë të blejnë një shtëpi tyren.

Mesatarja e kostos së një shtëpie në Kaliforni është e vlerësuar në rreth 700 mijë dollarë, gati 19% më shumë se nga fundi i 2019, para se pandemia të ndryshonte botën. E njëjta rritje shënohet edhe në tregun e qirasë, me një mesatare prej 1650 dollarësh për një dhomë të vetme. 

Ndërkohë, edhe këto mundësi të kripura po zvogëlohen gjithmonë e më shumë, investimet e shumta nga e gjithë bota e kanë zvogëluar shumë mundësinë e shtëpive në treg, dhe politikat e ndërtimit kanë dështuar të shuajnë urinë e tregut. 

Situata u përkeqësua shumë në krizën ekonomike të 2008 dhe pandemia e fundit i dha vulën finale. Shumë kanë humbur burimin e të ardhurave, kanë shitur banesat e tyre dhe nuk arrijnë të blejnë diçka tjetër, dhe detyrohen të flenë në çadra, rulotë ose thjesht në automjetet e tyre. Kriminaliteti është rritur në mënyrë drastike, ndërkohë që Kalifornia është shteti që është varfëruar më shumë në përqindje nga të gjithë shtetet e tjera amerikane.  

Ndërkohë, ndryshimet klimatike kanë goditur rëndë Kaliforninë. Zjarret masive kanë rrezikuar jetën e mijëra banorëve, duke shkatërruar po aq banesa dhe sipërmarrje. Temperaturat e larta, të shkaktuara nga ndryshimet globale, por edhe nga prerja e pyjeve tradicionale për t’i lënë hapësirë fermave të dimensioneve të mëdha, nuk premtojnë se situata klimatike do të përmirësohet në të ardhmen. /A2

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco