FOTO/ Shën Valentin në karantinë, dita speciale në anijen e bllokuar nga coronavirus

FOTO/ Shën Valentin në karantinë, dita speciale në anijen e bllokuar nga coronavirus

11:43, 14/02/2020
A+ Aa A-

‘Avokado e Kupidit’ për drekë, mesazhe në formë zemre për ekuipazhin, por edhe ndarje të dhimbshme: për ata që kanë ngecur në karantinë në bordin e kroçierës Diamond Princess, e premtja nuk është një ditë e zakonshme Shën Valentini.

Me një fustan të kuq e fjongo të kuqe, menaxherja e argëtimit e anijes, Natalie, postoi një video Shën Valentini në Twitter për të mbajtur lart gjendjen shpirtërore.

‘Doja të kontaktoja me të gjithë e të thosha se të gjithë po mbahemi mirë këtu, e po qëndrojnë së bashku si një familje e madhe’, shkroi ajo, me një buzëqeshje të madhe: ‘Kjo nuk ka qenë veshja ime normale prej një jave apo më tepër’.

Pasagjeri Matt Smith, 57 vjeç, po e kalon ditën e Shën Valentinit në bord me gruan e tij prej 21 vjetësh, Katherine Codekas, edhe ajo 57 vjeç, dhe pranon se anija nuk ishte zgjedhja e parë për këtë ditë speciale.

‘Pas 21 vjetëve martesë, nuk është se bëjmë ndonjë gjë të madhe për këtë ditë, por zakonisht i dërgoj të paktën një kartolinë Katherines’, tha ai për AFP nga anija.

‘Ajo është paksa e zhgënjyer me situatën. Facebook më kujtoi sot në mëngjes se si sot tre vjet më parë ishim në Las Vegas. Sikur na e bën për inat’.

Ai shtoi se pasagjerëve në bord iu ofrua një mëngjes Valentini.

‘U kujtuam se çfarë dite është nga ofrimi i atij që anëtarët e ekuipazhit e quajtën ‘mëngjes special. Nuk jam i sigurt se pse vezët e ziera fort, sallami e kërpudhat janë speciale’.

Menuja e drekës premton disa ushqime special në nderim të ditës.

‘Avokado e Kupidit dhe sallatë karkalecash deti’, sa për ta nisur, pasuar nga ‘karkaleca Valentini në stil japonez me oriz e perime’.

    Pjata kryesore është klasikja franceze Coq au Vin me pure patatesh e perime dhe një ëmbëlsirë surprizë për Ditën e Valentinit.

    ‘Coq au Vin, po, ju lutem’, shkruan në Twitter Yardley Wong, e cila ka postuar vazhdimisht përpjekjet që bën për të mbajtur në humor djalin e saj në anijen e vendosur në karantinë.

    Një tjetër pasagjere preu disa letra në formë zemre dhe i vari në derën e kabinës së saj, me mesazhe drejtuar ekuipazhit: ‘Faleminderit për punën që bëni’ dhe ‘Faleminderit për kujdesin që tregoni për ne’.

    Më tepër se 200 persona në bord janë diagnostikuar me virusin e pagëzuar me emrin

    COVID-19 dhe janë transportuar në spitalet lokale. Ata që kanë mbetur në bord do të qëndrojnë në karantinë të paktën deri në 19 shkurt.

    Ndërsa pasagjerët luftojnë me izolimin, frikën e mërzitjen, disa anëtarë të ekuipazhit kanë ngritur shqetësimin për kushtet e tyre, përfshirë ngrënien së bashku dhe fjetjen dyshe në kabina.

    Por coronavirus edhe i ka ndarë disa çifte për Shën Valentin, përfshirë një që ishte në muaj mjalti.

    Kent Frasure u detyrua t’i thoshte mirupafshim partneres së tij Rebecca, e cila u infektua nga virusi dhe tani është e izoluar në spital.

    ‘I thamë mirupafshim njëri-tjetrit dhe u përqafuam. Nuk u puthëm sepse nuk e dinim se çfarë po ndodhte vërtet’, tha Kent për CNBC. ‘Pastaj e pashë teksa ecte në korridor, u kthye në qoshe e iku’.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco