Si u bë Mark Zuckerberg njeriu më antipatik në teknologji

Si u bë Mark Zuckerberg njeriu më antipatik në teknologji

12:08, 08/11/2019
A+ Aa A-

Nga Nick Bilton-Vanity Fair

Është interesante se si ti ikën nga një vend, si qyteti i lindjes apo i universitetit, dhe kur kthehesh shumë gjëra janë ashtu siç i ke lënë. Bari ku pive pijen e parë me ID fals thuajse nuk ka ndryshuar. Postieri që çon postën në shtëpinë e prindërve ndjek të njëjtin itinerar.

Mësuesja e kimisë nuk ka luajtur vendit. Por nuk ndodh kështu në Bay Area (Gjiri i Kalifornisë), ku e ardhmja duket se vjen me shpejtësi 10 herë më të madhe se në pjesën tjetër të Amerikës.

Kudo ka dronë të rinj dhe shërbime shpërndarjeje me inteligjencë artificiale, skuterë elektrikë, makina gjysmë-autonome dhe ora smart që monitorojnë çdo frymëmarrje, hap, vajtje në banjë dhe kërkesa miqësie në social – vite para se teknologji të ngjashme të dalin në shitje në qytetet e tjera.

E vetmja gjë në San Francisco që ndryshon më shpejt edhe se vetë teknologjia është opinioni që bosët e saj kanë për njëri tjetrin. Sot Elon Musk është një shpikës brilant; nesër është një legen thithës hashashi që sulmon një shpëtues shpellash (Tajlandë).

Një ditë tjetër, kur të nxjerrë makinën e re Tesla apo raketë SpaceX, do të jetë sërish gjenì. Pronari i Vipassana, Jack Dorsey, ishte monstër që lejoi Donald Trump të shkelte rregullat në Twitter; befas u bë njeriu më i mirë në botë kur ndaloi reklamat politike dhe u tall me logon e re të Facebook.

Edhe ish-ekzekutivi i Uber, Travis Kalanick, i cili e la kompaninë mes një vorbulle kontradiktash, ka ende admirues të panumërt në botën teknologjike, të cilët luten që sipërmarrja e tij më e fundit (cloud kitchens) të ketë sukses.

Ndoshta i vetmi person që tani është në mënyrë të vazhdueshme i papëlqyer, s’ka rëndësi kë pyet, është shefi i Facebook, Mark Zuckerberg, dhe jo domosdoshmërisht për arsyet që mund të mendoni.

Për vite, Zuckerberg shihej në Silicon Valley si një lider erudit e i guximshëm që mund të driblonte këdo, pavarësisht moshës apo peshës në biznes. Sigurisht, ai bëri disa lëvizje në fillim të karrierës, por kapitalistët që investojnë me risk të lartë, themeluesit, madje edhe një numër gazetarësh teknologjikë, sërish e shihnin si një ‘bythë e zgjuar’, dikush që jo vetëm ndërtoi rrjetin social më të madh në botë, por që paramendoi sigurimin e kontrollit total mbi kompaninë e tij gjatë procesit, duke forcuar pushtetin e tij me një strukturë të dyfishtë aksionesh që i jep Zuckerbergut të drejtën e shumicës së votave, duke garantuar që të mos shkarkohet kurrë (sikur edhe Steve Jobs ta paramendonte një gjë të tillë). Kije inat, por jepi hakun.

Por, jo më. Në udhëtimet e fundit në San Francisco, asnjë nga ata që fola nuk kishte ndonjë gjë të mirë për të thënë për Facebook, një kompani që krijoi qindra milionerë në Bay Area kur u bë kompani publike më 2012. (Facebook, që dikur ofronte ndër vendet e punës më të lakmuara në SHBA, ka rënë nga vendi i parë si ‘vendi më i mirë për të punuar’ që atëherë në vendin e shtatë).

Lista e arsyeve për rënien është e gjatë. Ka pasur dalje të dhënash dhe skandale privatësie, fiaskoja e Cambridge Analytica fiasco, dhe ndërhyrja ruse në zgjedhjet 2016. Facebook monopolizoi tregun e reklamave dixhitale, mori nën kontroll kompani mediatike e më pas shkatërroi karriera kur e hoqi spinën.

Gjatë rrugës, Zuckerberg ishte i avashtë në pranimin e impaktit të Facebook në botë, duke mos pranuar asnjë mundësi në ndërhyrjen në zgjedhje (‘ide komplet e çmendur’) apo përgjegjësitë e Facebook si platformë mediatike (‘Ne jemi kompani teknologjike, jo mediatike’) apo si arbitër i gjuhës së urrejtjes (‘Nuk besoj se platforma jonë duhet t’i heqë [mohimet e Holokaustit]’). Zuckerberg ishte i pamëshirshëm në shtypjen e konkurrencës, duke blerë rivalët apo kopjuar arritjet me një qëllim të vetëm.

Këto ishin midis morisë së ankesa që dëgjova kur, në udhëtimin më të fundit në Silicon Valley, u takova me një kapitalist sipërmarrës. Kur e pyeta për Zuckerberg, ai e shau sikur t’i kishte q... gruan.

‘Ai shkërdhata po e shkatërron këtë qytet’, tha, teksa po pinim kafe në një nga ato dyqanet e shumta që pranojnë vetëm pagesa përmes smartphone-it ose me kartë krediti. ‘Sa herë që ideohet ndonjë shpikje, këtu, sa herë që del ndonjë ide e re, Zuckerberg ose e blen dhe e mbyll, ose e kopjon dhe prapë e mbyll’.

Sipërmarrësi, i cili e njeh Zuckerbergun prej më tepër se një dekadë, tha se problemi me Facebook shkon shumë më larg se fake news. Duket sikur kompania e ka thithur gjithë ajrin jashtë nga Silicon Valley.

Zuckerberg nuk është i vetmi i pamëshirshëm midis manjatëve të teknologjisë që e ka njollosur reputacionin dikur pozitiv në shtyp. Pothuajse kushdo që punon në atë zonë e ka rolin e tij. Por ndryshe nga disa nga kolegët e tij, të cilët me raste shfaqin pendesë, Zuckerberg njihet si gjitholog. Kur Musk u përfshi në debatin për shpëtuesin e shpellë (rasti i fëmijëve tajlandezë të ngecur në shpellë), ai më pas pranoi ‘u tregova një copë idioti’.

Kalanick u rrokullis me plot kuptimin e fjalës në dysheme duke thënë ‘jam njeri i tmerrshëm’ kur u publikua një video në të cilën i shihej duke i bërtitur një shoferi të Uber. Por kur Aaron Sorkin i shkroi një letër të hapur Zuckerbergut javën e kaluar, duke i kërkuar subjektit të filmit të tij ‘Rrjeti Social’ të rimendonte qëndrimin për lejimin në sitin e tij të reklamave të fabrikuara politike, Zuckerberg duhej patjetër të thoshte fjalën e fundit.

Ai postoi një citat në faqen e tij në Facebook, nga filmi ‘Presidenti Amerikan’ i Sorkinit, që mbronte lirinë e fjalës.

Këto momente mund të jenë purgative për Zuckerberg, por ato nuk shkojnë mirë me gjyqin e opinionit publik. Një tjetër investues i përshkroi  Zuckerberg dhe Facebook si të frikshëm. Një tjetër tha se Zuckerberg nuk tregon vetëdije.

Edhe një nga punonjësit e nivelit të lartë të Zuckerbergut më tha kohët e fundit se ai nuk tregon emocione dhe shpeshherë duket si robot. Siç e ka vënë në dukje gazetari i teknologjisë Charlie Warzel, ‘ai është shefi ekzekutiv i Facebook dhe partia e tij politike po arrin rritje të madhe në përdoruesit aktivë, të ardhurat nga reklamat dhe market share... në thelb me çfarëdo kostoje’.

Në Silicon Valley, ashtu si në jetë, ka akte të dyta. Nëse merr një gazetë të para njëzet vjetëve, do ndeshesh pa diskutime me ndonjë artikull për Bill Gates që e portretizonte bashkëthemeluesin e Microsoftit pothuajse në të njëjtën dritë si Zuckerbergun: shpërfillës i rregullave dhe shkatërrues i konkurrentëve që i dilnin përpara. Ashtu si Zuckerberg, Gates shpërfilli Kongresin dhe luftoi qeverinë e SHBA kur Microsoft u akuzua për shkelje të ligjeve antitrust më 1998.

Por pastaj diçka te Gates ndryshoi. Ndoshta qeveria ia mblodhi apo kuptoi se jeta nuk është thjesht të fitosh, por diçka u duk se e shtroi Gatesin. Në vite u bë më i mençur. Më 2000, ia la frenat Steve Ballmerit dhe u përqendrua te filantropia. Brenda një dekade, shefi ekzekutiv që dikur ishte personifikim i ligësisë në teknologji u bë një nga liderët e korporatave më të pëlqyer në botë. Ka edhe një dokumentar që doli në shtator: ‘Brenda trurit të Billit: Të dekodosh Bill Gates’. A mund të pësojë edhe Zuck një transformim të ngjashëm?

Ka arsye strukturore pse Zuckerberg to të ketë pak gjasa të pësojë të njëjtin transformim. E para fare, kapitali i aksioneve vazhdon të rritet dhe bordi nuk ka asnjë arsye t’i kundërvihet. Zuckerberg vazhdon të ketë kontroll të plotë mbi kompaninë e tij dhe duket se po bëhet më tepër sfidues, jo më pak.

Mendimi im është që Zuckerberg ka shkuar shumë larg për t’u kthyer pas. Edhe nëse ndjek shembullin e Bill Gates dhe e lë drejtimin e kompanisë që themeloi duke u përkushtuar për sfidat më të mëdha të botës, nuk besoj se ndokush do të dojë të shohë ‘Brenda trurit të Markut: Të dekodosh Mark Zuckerberg’.

Ndryshe nga Gates, i cili arriti një kreshendo e pastaj u duke se evoluoi shpirtërisht në qenie njerëzore, Zuckerberg ende duket i përqendruar në rritjen e Facebook, s’ka rëndësi se me çfarë kostoje sociale. Siç më tha dikush që dikur punonte me Zuckerberg në Facebook kjo është ajo çka ai është.

‘Zuck është personi më ambicioz që kam parë ndonjëherë. S’ka rëndësi se çfarë vendos të bëjë, ai do të jetë numri një absolut në atë gjë. Kështu është ndërtuar. Ai mund të marrë drejtimin e një OJF-je dhe ajo do të bëhej OJF-ja më e madhe në botë. Ndodhi që e filloi me Facebook’.

Marrë nga Vanityfair-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco