Këtë vend mahnitës mos e lini pa e vizituar

Këtë vend mahnitës mos e lini pa e vizituar

10:33, 18/06/2019 Nga B.T
A+ Aa A-

Njëri ndër vendet më të frekuentuara nga turistët e huaj në Kosovë, vazhdon të mbetet rajoni i Rugovës, i cili karakterizohet me  peizazhe natyrore mbresëlënëse, ku gërshetohen ujërat, kodrinat e mëdha dhe pyjet e shumëllojshme të cilat janë resurse të çmuara për  joshjen e turistëve të huaj.

Pas kryeqytetit, rajoni i Rugovës i cili shtrihet në pjesën perëndimore të vendit, vazhdon të mbetet njëri ndër destinacionet kryesore turistike në vend, ku edhe graviton numri më i madh i turistëve të huaj.   

“Syri.net”, ka qëndruar në Grykën e Rugovës dhe ju sjell një reportazh nga pamjet mahnitëse që ofron ky regjion.

Posa të kalosh qytetin e Pejës, rruga që të shpije në veri-perëndim, vazhdon të jetë më e frekuentuar sesa pjesët tjera të kësaj ane. Shumë vendas, por, kryesisht edhe të huaj ia kishin mësyer kësaj treve.

Me të dalë nga periferia e qytetit, nisin të shfaqen pamje gjelbëruese të rrethuara nga fushat e kodrinat të cilat i ndanë vetëm rruga gjarpëruese.

Krahas rrugës shtrihet edhe shtrati i Lumëbardhit që vije nga Gryka e Rugovës nga lartë.  Me tu afruar tek gryka, nisin edhe kolonat e automjeteve dhe qytetarët  e shumtë  duke gjetur ndonjë parking dhe vend për rreth lumit e kodrinave për t'u relaksuar.  E shumë të tjerë realizojnë fotografi e video nga pamjet atraktive që sjell Gryka e Rugovës.

Përreth lumit gjarpërues, shtrihet edhe rruga e cila nuk është në gjendje të mirë dhe jo e përshtatshme për lëvizje adekuate e për dikë edhe frikësuese.   

Këto pamje atraktive të rrethuara me kodrina rreth apo mbi një mijë metrash, ujëra rrjedhëse nga katër anët dhe lumi me ujëra të “rrëmbyeshëm” përshkojnë në gjatësi prej rreth 20 kilometrash.

Rrugëtimi vazhdon  drejt thellësisë së lumit, apo kodrinave të mëdha, automjete të shumta herë marrin vrullin e herë ndalen. I afrohemi pjesës edhe më të bukur Grykës së Rugovës, e cila ka një gjatësi rreth dhjetë kilometra.

Dieter Myller, nga Gjermania, kishte ardhur me vajzën dhe dhëndrin për vizitë në Kosovë. Ai tregon për “Syri.net Kosova” se për herë të parë po e viziton Grykën e Rugovës dhe i cili është impresionuar me pamjet e mahnitshme që ofron kjo zonë.

“Kjo që po shoh është e jashtëzakonshme dhe sa herë që do të vijë në Kosovë, besoj se do të vizitoj këtë kanjon”, tha Myller.

Ai tregon se  kur të kthehet në Gjermani do t’i tregojë të gjithëve për këtë pamje që ka Kosova dhe do t’I inkurajojë edhe të tjerët që të vijnë ta shohin këtë bukuri natyrore të jashtëzakonshme që ka Kosova.

Vazhdojmë të ngjitem tek  kodrinat, kur përshkohen kthesa, tatëpjetëza  e tunele  interesante dhe kur shikon lartë herë-herë nga kodrinat e larta, thuajse nuk shihet  as qielli, derisa nga kodrinat  ka edhe rrjedhje uji, e nuk mungojnë as tunelet e gdhendura nga dora e njeriut që e bëjnë edhe më atraktive  këtë bukuri.

I afrohem pikës kryesore që karakterizon grykën si kanjon tipik në kilometrin e 6-të, ku edhe ndodhet ujëvara e gjatë 25 metra që buron në shkëmb nga ana jugore e derdhet në lum. Aty  ndalen shumë mjete, ku secili dëshiron të shoh e përjetojë nga afër ujëvarën,  lumin e kodrinat e hatashme.  Nuk mungojnë as fotografitë e videot e shumta, e sidomos nga 'jabanxhinjtë'.

Kjo pamje po i lë pa tekst të huajt, por, edhe kosovarët që për herë të parë shohin një pamje magjepse.

Kolonës së gjatë të automjeteve po i prijnë disa polakë, të cilët me kureshtje shikojnë andej e këndej. Ata me një shpejtësi të ngadalësuar mundohen që mos u ikë asgjë, realizojnë fotografi e video dhe thonë se nuk kanë komente për këtë bukuri të gërshetuar mrekullueshëm  dhe që nuk i mungon asgjë.

E turistët më të shumtë vazhdojnë të jenë ata nga Shqipëria, të cilët japin impresionohen ma pamjet që ofron kjo zonë. Arturi nga Tirana kishte ardhur me familje, ai tregon  se është për herë të parë këtu dhe  kjo hapësirë është mbresëlënëse, pamje mahnitëse ku njeriu nuk di ka të shikoj më parë.

Aty takuam edhe vizitorë të shumtë nga Shqipëria, Kosova,  Maqedonia, Mali i Zi e vende tjera.

Ecim edhe disa kilometra më tej ku pas grykës, shfaqen  kodrina më të vogla të cilat të shpijnë drejt Malit të Zi. Ngado që shikon, sheh vetëm sipërfaqe gjelbëruese me kodrina të shumta, shtëpi, vila, bujtina e restorante të bukura, në të cilat shihen vizitorë të shumtë.

Pas ecjes mbi 20 kilometrash, kthehemi pas, po në të njëjtën pjesë. Po ashtu, edhe gjatë kthimit vizitorët nuk ndalen së shikuari majtas e djathtas dhe duke realizuar foto e video për të pasur si kujtim e për t’i treguar të tjerëve për përjetimet e tyre.

Por, pavarësisht potencialeve turistike që ka Kosova, mungesës së investimeve në resurseve turistike, ka bërë që sektori i turizmit në Kosovë të mbetet mjaft i pazhvilluar.

Kthehemi pas disa orësh qëndrimi atje, ku edhe dielli për shkak të kodrinave të mëdha pasdite largohet dhe duket sikur po vije mbrëmja.  Edhe pse pasdite, akoma shihen vizitorë të shumtë. Edhe kthimi teposhtë për në qytet, bëhet me pritje e kolona, sidomos në disa pjesë ku rruga është  jo e përshtatshme. Posa kthehemi tek lumi që vije nga lartë, akoma shumë qytetarë vazhdojnë relaksimin. Dikush duke  realizuar pjekje, e të tjerë duke u relaksuar në forma të ndryshme.

Ishte ky një tregim i vogël nga resurset e mëdha që ofron Gryke e Rugovës dhe e cila kërkon trajtim e investime më të mëdha.  

Nga ana tjetër zyrtarë nga Ministria e Tregtisë e Industrisë tregojnë për “Syri.net Kosova”, se vendet që po vizitohen me së shumti  në vitet e fundit  në Kosovë, janë Prishtina  si kryeqytet  që ka numrin më të madh të vizitorëve me mbi 114 mijë, pastaj  Peja  më mbi 75 mijë vizitorë, e me radhë.

Sipas zyrtarëve të MTI-së  numri më i madh i turistëve që vizitojnë Kosovën  janë nga Shqipëria, Gjermania, Turqia SHBA-të e vendet tjera.

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco