FOTO/ Mbrojtja e diversitetit, 1 mln euro nga Italia për parkun detar Karaburun-Sazan

FOTO/ Mbrojtja e diversitetit, 1 mln euro nga Italia për parkun detar Karaburun-Sazan

11:53, 17/03/2019
A+ Aa A-

 Nga Blerina Moka

Parku detar Karaburun-Sazan, prej disa vitesh është kthyer në një destinacion turistik mjaft i pëlqyer si nga qytetarët brenda vendit ashtu dhe turistët.

Ky park, prej një viti është nën monitorim falë një projekti 3 vjeçar (2018-2020), me vlerë 1 milionë euro, të financuar nga qeveria italiane (Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim).

Parku detar Karaburun-Sazan është zona e parë dhe e vetme e mbrojtur detare në vendin tonë.

Menaxherja e projektit të PNUD, financuar nga qeveria italiane, Violeta Zuna, thotë se projekti synon të mbrojë biodiversitetin, gjendjen e ekosistemit dhe të sigurojë një burim të qëndrueshëm të zhvillimit të turizmit dhe rritjes ekonomike përmes kësaj zone të mbrojtur.

Por rruga drejt kthimit të tij në një destinacion kaq të preferuar nuk ka qenë e lehtë.

Lorela Lazaj është një vlonjate relativisht e re në moshë, dhe që prej majit të vitit 2015, është drejtuese e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë (AdZM Vlorë).

Ajo  menaxhon punën e një stafi të përbërë prej 29 specialistësh dhe 17 Ranger (roje mjedisorë), dhe ku detyrat funksionale të të cilëve lidhen kryesisht me monitorimin e zonave të mbrojtura dhe me hartimin dhe zbatimin e politikave për zhvillimin e qëndrueshëm në to.

Me stafin e saj, një ekip të rinjsh vlonjatë që e dashurojnë detin, si dhe mjetet bashkëkohore që kanë në dispozicion, asistencën logjistike, kanë vendosur përgjatë gjithë parkut tabelat informuese, si dhe kanë vendosur barrierat për ruajtjen e livadheve të Posidonias që shpesh dëmtoheshin nga rrjetat e peshkatarëve.

    Sezoni turistik

    Vlora ka çelur sezonin e saj turistik dhe administrata rajonale e Zonave të mbrojtura të këtij qarku ka nisur punën intensivisht për realizimin e disa objektivave,

    Në një takim me gazetarë dhe përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura, prefekti i Vlorës Flamur Mamaj tha se për sezonin që pritet të fillojë, do të kërkojë nga operatorët turistikë të grumbullojnë dhe të kthejnë pas çdo shëtitje në Karaburun dhe Sazan të gjitha mbetjet ditore që turistët krijojnë.

    ‘Qëllimi është që ky park të ruhet për ta bërë atë atraktiv për një turizëm edhe më të shtrirë në kohë’, u shpreh prefekti.

    Nga ana e tij, stafi i administratës së zonave të mbrojtura në Vlorë, ka nisur punën për të finalizuar disa nga objektivat e vëna për këtë sezon.

    Zgjerimi i funksionit të qendrës së rehabilitimit të breshkave detare është një prej tyre.

    Kjo nismë nisi fillimisht si një punë vullnetare e kësaj administrate, por falëdhe bashkëpunimit me PNUD u bë i mundur krijimi i qendrës së ndihmës së parë mjekësore për breshkat detare në Radhimë, në dhjetor 2017.

    Kjo qendër gjatë vitit 2018 ka shpëtuar 7 breshka (Caretta Caretta).

    Ndër synimet e stafit të administratës për ruajtjen e zonave të mbrojtura, është dhe monitorimi i habitateve të fokës murgeshë, një specie karizmatike në park por e kërcënuar në Mesdhe, montimi i kamerave kurth nënujore të cilat do të mundësojnë sa më shpejt pamje filmike që do të provojnë për herë të parë prezencën e fokës murgeshë në Parkun Detar ‘Karaburun Sazan.

    Roli i komunitetit

    Në dy vitet e fundit, kur parku detar Karaburun-Sazan u hap për qytetarët, ajo çfarë u vu re është problemi i mbetjeve detare dhe ndotja që u krijua nga bizneset apo pushuesit.

    Në bashkëpunim me PNUD, administrata rajonale e zonave të mbrojtura në Vlorë po zbaton nismën e riciklimit të vajrave të përdorur dhe brenda një kohe shumë të shkurtër 30 subjekte që operojnë në afërsi të parkut detar i janë bashkuar kësaj nisme.

    Deri tani janë mbi 1800 kg vaj i mbledhur dhe i dërguar në kompanitë e specializuara të riciklimit.

     ‘Rikujtoj këtu se përpara krijimit të AKZM, zonat e mbrojtura nuk kanë patur mundësinë të trajtohen si të tilla, të menaxhohen në mënyrë efektive apo dhe studiohen.

    Sot këto zona njihen dhe pranohen nga komuniteti, vizitorët dhe institucionet e tjera funksionimi i të cilëve prek direkt apo indirekt zhvillimin e ketyre zonave’, thotë Lorela.

    Janë rreth 50-60 mijë turistë vendas dhe të huaj në ditë që vizitojnë Parkun Detar Karaburun-Sazan, gjatë muajve Korrik-Gusht, e që vitet e fundit kanë shtuar kërkesat për të frekuentuar plazhet e virgjëra të gadishullit. 

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Më të lexuarat
    Denonco