Pesë libra për dashurinë që duhet t’i lexoni për pushime

Pesë libra për dashurinë që duhet t’i lexoni për pushime

01:34, 17/12/2018
A+ Aa A-

Keni bërë gati valixhet e pushimeve? Por për Alda Bardhylin, kritike e njohur e librit,  valixhja nuk quhet e bërë gati nëse aty nuk ka një libër. Sipas saj, stina e verës është stina më e mirë ku mund të shpenzojmë më shumë kohë me librin, ndërsa pushimet na japin mundësi të ndalemi tek librat që kërkojnë kohë. Por për ata që kërkojnë të lexojnë romanca, apo histori që ua bëjnë më të bukur qëndrimin në plazh apo në dhomën e hotelit ku do të qëndroni, ne i kërkuam asaj të na sugjerojë 5 libra që kanë si subjekt një histori dashurie.

 

Ismail Kadare: “AKSIDENTI”

 

Besfort Y dhe Rovena St janë dy personazhe të dashuarish që kanë hyrë vonë në galerinë e personazheve të letërsisë shqipe. Libri mbart një nga ato histori dashurie që jetohen vetëm një herë në jetë. Një taksi rrëzohet në kilometrin 17, në rrugën automobilistike që të çon në aeroport. Dy udhëtarët qenë vrarë në vend, kurse shoferi i plagosur rëndë, ishte çuar në spital, në koma. Në procesverbalin e policisë, ishin shënuar të dhënat e zakonshme në kësi rastesh: Emrat e të vrarëve, një burrë dhe një grua e re, të dy me nënshtetësi shqiptare, numri mineralogjik i taksisë bashkë me emrin e shoferit austriak, si dhe rrethanat, ose më saktë, mosdija e plotë e rrethanave, në të cilat kishte ndodhur aksidenti. Taksia nuk kishte asnjë gjurmë frenimi a goditjeje nga kurrfarë drejtimi. Në ecje e sipër i ishte afruar anës së rrugës, thua se grahësi e kishte humbur befasisht shikimin, gjersa ishte përmbysur në zgrip. Në këtë tablo të ftohtë të një aksidenti Kadare shpalos historinë tjetër përtej tij. Atë të një gruaje që ndjek pas një burrë, nëpër avionë, stacione trenash e dhoma hotelesh në kryeqytete të Europës ku ndërtojnë një histori dashurie që nuk mund të merrte fund ndryshe, përveçse me një aksident…

 

Çehov: “ZONJA ME KONE”

 

Nëse doni të dini se ku mund t’ju çojë dashuria, lexoni “Zonjën me kone” të Anton Chehov. Nëse nuk e keni lexuar këtë novelë të jashtëzakonshme të letërsisë ruse është koha ta lexoni tani. Në shqip ajo ka disa variante përkthimi por në të gjitha ndjeshmëria dhe larmia e gjuhës së Chehov nuk i ka humbur ngjyrat. Anna Sergejevna, gruaja që udhëtoi bashkë me konen e vogël drejt një tjetër qyteti për të gjetur paqen e munguar do t’ju mësojë se ka gjithnjë kohë për dashurinë. Ashtu si Gurovi burri që pëlqente aventurat me gratë, pa mundur të binte në dashuri, do ta ndjente këtë ndjenjë atëherë kur me flokët plot thinja dalloi nga larg siluetën e Anna Sergejevnës. Novela është e shkurtër e mund të lexohej përgjatë një mbrëmjeje, por do të mbetet në mendjen tuaj gjatë.

 

Dritëro Agolli: “DASHURI NE MOSHEN E KRISHTIT”

 

Nëse në botë historitë e dashurive të shkrimtarëve vazhdojnë të zgjojnë kureshtjen e lexuesve dhe të biografëve, letërsia shqipe është nga më të varfërat përsa i përket romancave nga jetët private të autorëve për vetë historinë tonë gjatë komunizmit. “Dashuri në moshën e Krishtit”, libri me letërkëmbimet e dashurisë mes Dritëro Agollit dhe bashkëshortes së tij Sadijes është ndër të parët që mbush këtë histori tonën mungese. Libri është i mbushur me letra që ata ia kanë shkruar njëri tjetrit që gjatë kohës së njohjes, fejesës e më pas martesës. Letra që përmes dashurisëtregojnë dhe jetën në Shqipërinë e atyre viteve…”Unë sot gjithnjë kam jetuar me ty. Shkronja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, engjëll mbrojtës? Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”!

Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithnjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirësisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë.

Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon. E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar….”, shkruan ai në një nga këto letra.

 

Alfred Peza: “SARAH”

 

Historia e dashurisë mes Mbretit Zog e Sara Blloshmit nuk është më vetëm një histori e mbetur në kujtesën e atyre që u pëlqejnë historitë e së shkuarës, por mund të lexohet edhe në një libër. Alfred Peza ka mundur t’i japë jetë një prej romancave më të bukura të historisë sonë politike, duke na treguar në romanin “Sarah” padurimin e një burri për të parë një grua. Ajo është Sara Blloshmi, një prej femrave më të bukura të Tiranës së viteve ’30-të dhe gruaja, e cila do të ndikonte me jetën e saj në hapjen e Shqipërisë ndaj Perëndimit.

 

Preç Zogaj: “LOVE”

 

Ndonjëherë mjafton një poezi për të ndryshuar ditën. E poezitë e dashurisë së Prec Zogajt mund ta bëjnë këtë. Janë 100 vargje dashurie, 100 histori të mbledhura në librin “In love”, të cilat sjellin te ty gjithëgjendjen e dashurisë. Mungesën…trishtimin, mallin dhe dëshirën për të qenë aty ku zemra do të donte.

 

Ja një poezi:

 

Nuk e di ku iku ai kurmi

Që mbante në këmbë tash sa vjet!

Nuk e di ç’është kjo formë e re

Ku prapë përmblidhem!

Kjo dashuri që kam për ty

Më zvogëlon dhe më tret,

Më bën sa një sy.

 

Prekja, shtrëngimi, puthja, dëshirat

Përfunduan të gjitha në vështrim.

Tani të dashuroj duke të parë

Dhe drita s’ka të sosur.

 

Shkurt, 1999

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco