Lajmi i fundit

Ilir Meta deklaratë për mediat

Letra e dhimbshme dhe e sinqertë e 11-vjeçares për motrën e saj të vogël me sindromën down

Letra e dhimbshme dhe e sinqertë e 11-vjeçares për motrën e saj të vogël me sindromën down

14:45, 17/06/2018
A+ Aa A-

Kjo pjesë e jetës sonë nis 11 vite më parë. Mami solli në jetë një vajzë dhe mund ta kuptoni lumturinë që ndieja në ato momente. Si mund të ndihesha ndryshe? Do të bëhesha me motër.

Çdokush do të mendonte se një fëmijë është një bekim për prindërit dhe për gjithë familjen, por për familjen tonë ishte pak ndryshe. Ajo nuk ishte si gjithë të tjerat. Ajo ishte ndryshe. Këtë gjë e kuptova me kalimin e viteve. Një kromozom i tepërt në çiftin e 23-të, e bënte atë të vuante nga një sindrom që është shtuar shumë kohët e fundit. Nga sindromi Down. Kjo do të thoshte vonesë në zhvillimin fizik dhe mendor të saj.
Në atë kohë unë nuk i kuptoja mirë ato që po ndodhnin, apo pasojat e sëmundjes nga e cila vuante motra. Shihja vetëm prindërit të shqetësuar pas çdo vizite në spital, dhe sidomos mamin. Ajo qante shpesh, teksa e mbante në krahë. Dukej e pasigurt, sikur nga momenti në moment do të ndodhte diçka e keqe. Këtë e ndieja sa herë e shihja ta mbante motrën në krahë.

Por, nga ana tjetër, shihja edhe përkushtimin e prindërve për çdo gjë. Mjaftonte që motra të ishte mirë dhe ata do të ndiheshin disi të lehtësuar. Kjo gjë më bënte edhe mua të ndihesha më mirë. Ndihesha tmerrësisht keq, kur i shihja të trishtuar për motrën dhe nuk dija se çfarë të bëja. Doja të shihja buzëqeshje në fytyrat e tyre si më parë, por nuk dija se si të veproja. Në atë kohë nuk e kuptoja realisht çfarë po ndodhte që të bëja diçka për t’i gëzuar ata.

Por koha kaloi dhe unë kuptova se të lindje me sindromin Down, do të thoshte të ishe një fëmijë i veçantë dhe me nevoja të veçanta. Dhe pavarësisht kësaj, do të thoshte të përballeshe me probleme dhe situata të ndryshme. Këto momente të vështira i kam përjetuar edhe unë. Kam parë reagimet e të tjerëve ndaj motrës sime. Kam parë se si motra ime është tallur, përbuzur dhe diferencuar nga të tjerët. Gjithmonë e kam mbrojtur. I kam qëndruar pranë dhe jam përpjekur t’u tregoj bashkëmoshatarëve të saj mbi sëmundjen, nga e cila ajo vuan. Kam dashur që secili ta shikonte si të barabartë me veten. Ta vlerësonte për atë që ishte, jo ta paragjykonte duke u bazuar tek sëmundja e saj, sepse ajo është një fëmijë me ëndrra, dëshira dhe ndjenja, si të gjithë ne. E vetmja gjë për të cilën ka nevojë nga ne, është dashuria dhe mbështetja jonë.

Ajo ka nevojë edhe për gjithëpërfshirje në shoqëri. Ka pasur nevojë për të shkuar në shkollë dhe për të pasur miqtë e saj të ngushtë. Ka pasur nevojë të luajë, të argëtohet dhe të mësojë. Nuk e zgjodhi ajo të lindte e tillë, ndaj këtë kërkoja edhe unë nga të gjithë. Të mendonin gjithçka dhe pastaj ta paragjykonin, sepse në çdo fyerje, përbuzje dhe paragjykim të tyre, unë ndieja copëza të zemrës sime të thyheshin njëra pas tjetrës.
Dhe tani, pas 11 vitesh të mbushur me lotë, durim, sakrificë dhe shumë punë nga secili në familjen tonë, ne jemi të lumtur për hapat e vegjël, por me peshë të madhe që motra ka hedhur. Hapat e saj të suksesshëm e kanë çuar në dyert e shkollës dhe ajo sot po studion si gjithë fëmijët e tjerë. Me një program të veçantë studimi për fëmijët me sindromin Down, por po studion dhe kjo e bën atë thuajse të barabartë me të tjerët.

Si ndihem unë? Më shumë se krenare për motrën time. Ndihem sikur çdo sakrificë dhe çdo lutje e jona është kthyer mbrapsht me sukseset dhe progresin e motrës sime. Ndihem mirë që më në fund po i shoh prindërit të kënaqur dhe që hija e tyre e trishtimit është zëvendësuar me buzëqeshje.
Ajo që dua të them me këtë histori, është se t’i paragjykosh të tjerët është shumë e lehtë. Është njësoj sikur unë të gjej një defekt tek dikush dhe ta gjykoj për atë problem, pa e njohur realisht historinë e tij, pa ecur në rrugën e jetës së tij. Por kjo gjë nuk na bën ne më të mirë se të tjerët, përkundrazi. Na bën më të ligë, sepse ai që kënaqet apo përgojon fatkeqësinë e tjetrit, nuk e di kuptimin e fjalës mirësi.

Motra ime, ashtu si të gjithë ne, nuk e kishte privilegjin ta zgjidhte vetë mënyrën se si do të ishte. Sepse, nëse kjo zgjedhje do t’i mbetej asaj në dorë, me siguri nuk do donte të lindte ashtu, por ja që kështu ishte e shkruar dhe gjëja që më bën mua të lumtur, është se ajo po ia del mbanë gjithsesi. Ka lindur ndryshe nga pjesa tjetër, por vullneti e ka shtyrë të arrijë në të njëjtin nivel me të tjerët. Deri tani, ajo ia ka dalë. Unë jam e sigurt se do të vazhdojë t’ia dalë mbanë, sepse ndryshe nga ne “normalët”, ajo ka më shumë dëshirë, vullnet dhe inteligjencë për të qenë e barabartë me ne. Shpresoj dhe besoj se një ditë njerëzit do ta ndryshojnë opinionin që kanë për personat që lindin ndryshe. Shpresoj shumë që e ardhmja të buzëqeshë për fëmijët me sindromin Down. Ata e meritojnë… / bota.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco