Produkti i vetëm që pastron grimin eleminon yndyrën e tepërt dhe hidraton lëkurën

Produkti i vetëm që pastron grimin eleminon yndyrën e tepërt dhe hidraton lëkurën

12:14, 21/04/2018
A+ Aa A-

U shfaq disa vite më parë, impresionoi dhe i fitoi femrat me thjeshtësinë dhe efikasitetin e tij. Arsyeja është se Eaux Micellaires – UJI MICELAR magjik heq me një lëvizje, edhe makijazhin më rezistent ndaj ujit, duke mbetur jashtëzakonisht miqësor me lëkurën, madje, edhe me atë më të ndjeshmen. 
Thuhet se uji i parë micelar, i zbuluar nga Bioderma, në Francë, në vitin 1991, ishte përgjigjja e kompanisë ndaj ankesave të vazhdueshme të parisienëve, të cilët mendonin se uji i fortë e plot kripëra i Parisit, ishte i papërshtatshëm për pastrimin e lëkurës. Teknologjia në të cilën u bazua, ishte e re, pasi studimi i parë për micelat, sekreti i veprimit të të gjitha ujërave, është bërë në Universitetin e Bristolit në vitin, 1913. Mbetet fakt se Eaux Micellaires udhëtoi nga Franca nëpër gjithë botën, krijoi trend dhe na shpëtoi të gjithave ne që e shikonim pastrimin e plotë të lëkurës si një punë angari, duke na ofruar një zgjidhje absolutisht të saktë, por edhe tepër të thjeshtë.

Uji micelar dhe micelat e tij

Për të kuptuar se si uji mundet, në plot kuptimin e fjalës, të kapë me një lëvizje makijazhin, sebum-in, papastërtitë dhe pluhurin e ditës nga fytyra jonë, le ta nisim nga fillimi...
Nëse tentoni të përzieni vaj dhe ujë në një gotë, sado që të përpiqeni, të dy lëngjet nuk bashkohen. Vaji gjithmonë do të ngjitet në sipërfaqe, ndërsa uji do të mbetet në pjesën e poshtme dhe midis tyre do të ketë një vijë të qartë ndarëse. Për analogji, e njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse përpiqeni të bëni pastrimin e makijazhit thjesht duke hedhur ujë në fytyrë. Substancat yndyrore, të cilat përmbajnë produktet e kozmetikës, nuk përzihen me ujin, kështu që nuk do të largohen kurrë nga lëkura. Produktet kozmetike të pastrimit (si p.sh.: pastruesi i makijazhit në trajtë emulsioni, sapunët, shampot, etj.), por edhe detergjentet, i bazojnë veprimet e tyre në një grup të madh substancash me origjinë natyrore apo sintetike, të quajtura surfaktantë. Këta surfaktantë amfifilikë përziejnë vajin me ujin dhe heqin nga lëkura, papastërtitë, sebum-in dhe makijazhin. Tani, në formulën e një Eaux Micellaires

- uji micelar ose «uji pastrues», siç e kemi quajtur më parë, ndodh diçka ndryshe. Kur shtohet një sasi e mjaftueshme e substancave surfaktante në ujë dhe arrin një shkallë të caktuar koncentrimi, «bishtat» lipofilikë të molekulave afrohen automatikisht me njëri-tjetrin për t’u mbrojtur nga uji, duke formuar mikrosfera të padukshme, si flluska sapuni ose si jastëkët e vegjël ku nënat tona vendosnin gjilpërat - me «bishtat» të drejtuar nga qendra dhe «kokat», që e duan ujin, të drejtuara nga jashtë. Këto modele janë quajtur micela (micelles). Kur lagim me ujë micelar një pambuk për pastrimin e makijazhit, micelat rirenditen dhe «kokat» hidrofilike mbështeten mbi pambuk. Të mos harrojmë se pambuku është prej materiali hidrofil, dhe «bishtat» e tyre lipofilikë thithin si magnet makijazhin, papastërtitë dhe sebumin (të gjitha me përbërje yndyre) nga sipërfaqja e lëkurës, i zënë kurth dhe i heqin.
Uji micelar dhe ndjeshmëria jonë

Normalisht, ju mund të pyesni: meqenëse ujërat micelare nuk shpëlahen, vallë përqendrimi i lartë i surfaktantëve në përbërjen e tyre, e rrit ndjeshmërinë dhe e irriton lëkurën? Është e vërtetë se shumë produkte pastrimi, si sapunët e zakonshëm që bëjnë shumë shkumë, janë akuzuar prej kohësh si irritues për shkak të surfaktantëve aktivë që përmbajnë. Por në rastin e ujërave micelar ndodh e kundërta. Surfaktantët e përdorur janë efektivë, por shumë të butë. Ata nuk bëjnë shkumë dhe nuk përmbajnë substanca SLS ose SLES, që akuzohen shpesh për irritime. Për më tepër, ujërat micelar nuk përmbajnë sapun, shumë prej tyre as aromë, dhe nuk çrregullojnë pehashin e shtresën hidrolipidike të lëkurës, siç ndodh shpesh me xhelërat aktivë pastrues, që nuk formojnë një shtresë në sipërfaqen e saj, apo si me emulsionet pastrues të pasuruar, të cilët në një lëkurë të prirë për çrregullime, mund të bllokojnë poret. Ata janë hipoalergjikë dhe përshtaten me të gjitha llojet e lëkurës, edhe pse kohët e fundit qarkullojnë kompozime edhe më specifike (p.sh.: për lëkurë të yndyrshme, me akne ose të ndjeshme).
Përse na pëlqejnë

• Heqin në mënyrë efektive makijazhin nga fytyra dhe sytë, duke mos lënë mbetje yndyrore dhe ndjesinë e tërheqjes në lëkurë.
• Nuk përmbajnë sapun, alkool apo përbërës gërryes që thajnë dhe irritojnë lëkurën.
• E hidratojnë dhe e ushqejnë lëkurën, duke e lënë atë rrezatuese, të freskët dhe të butë.
• Nuk bllokojnë poret dhe nuk shkaktojnë pika të zeza në fytyrë.
• Ato janë multifunksionale, pasi mund të zëvendësojnë emulsionin pastrues, pastruesit e syve si edhe locionin tonik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco