Nipi i deputetit shkodran Agron Çela shpallet në kërkim për mashtrim ndaj qytetarëve. Gentian Çela, së bashku me Ervin Çobajn, u merrnin makinat luksoze qytetarëve të ndryshëm dhe më pas nuk u jepnin lekët për to. Policia ka sekuestruar të paktën 6 mjete luksoze, por dyshohet se numri i qytetarëve të mashtruar është edhe më i lartë. Teksa 22-vjeçari Çobaj u prangos, nipi i deputetit Agron Çela arriti ti shpëtojë policisë.

Nga SYRI TV

Shpallet në kërkim për mashtrim Gentian Çela, nipi i deputetit Agron Çela, ndërsa është arrestuar Ervin Çobaj si pjesë e grupit të mashtrimit duke vjedhur makina luksoze. Sipas burimeve zyrtare të policisë, Çela e Çobaj përfitonin automjete luksoze, përmes mashtrimit, duke mos u dhënë pronarëve të automjeteve, paratë për to.

Më pas mjetet që u merreshin përmes mashtrimit personave të ndryshëm çoheshin për shitje në një pikë shitjeje të automjeteve. Nga provat e siguruara gjatë hetimit, rezultoi se Ervin Çobaj dhe Gentian Çela, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se çmimin për blerjen e automjeteve luksoze, do e transferonin në llogarinë bankare përkatëse të shitësit të automjetit.

Këta shtetas, edhe pasi i merrnin në posedim automjetet, nuk e paguanin çmimin e tyre, përmes llogarive bankare. Në gjendje të lirë po hetohet edhe 44 vjeçari me inicialet B. H, i cili ishte në dijeni të aktivitetit të kundërligjshëm, por vijonte ti përvetësonte këto mjete e më pas i shiste me çmime më të larta.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 automjete luksoze të tipeve ‘Audi’, ‘Mercedes-Benz’ dhe ‘Porsche’. Por teksa në pranga u vu 22 vjeçari Ervin Çobaj, nipi I deputetit Agron Çela u arratis dhe nuk është bërë e mundur ndalimi nga policia.

Por zyrtarisht policia bën me dije se rasti i mashtrimeve është edhe më i madh, ndaj për këtë i ka bërë apel qytetarëve që të denoncojnë nëse janë mashtruar nga Gentian Çela apo Ervin Çobaj. 

VIDEO-SYRI TV/ Vidhte makina duke mashtruar, në kërkim nipi i Agron Çelës

Denonco