Çmimet e larta në vendin tonë kanë rritur koston e jetesës. Konsumatorët po orientohen gjithnjë e më shumë për blerje drejt alternativave më të lira. Tendenca për të konsumuar produkte më të lira cenon sigurinë ushqimore dhe po zhyt në varfëri shtresën e mesme.

SYRI TV

Rritja e çmimeve, që ka prekur vlerat më të larta në 25 vitet e fundit, i ka detyruar konsumatorët shqiptarë të zgjedhin alternativat më të lira dhe të blejnë sasi më të pakta produktesh. Sipas Monitor, kjo ka gjasë të cenojë sigurinë ushqimore, sidomos në qarqet e vendit, ku fuqia blerëse është më e ulët dhe agjencitë e kontrollit nuk kanë ndikim të lartë.

Vitin e kaluar, inflacioni mesatar vjetor shënoi rritje me 6.7%, por çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dy herë më të larta, 12.5%. Shtrenjtimi në produktet kryesore të shportës ndikon në sjelljen e konsumatorëve, të cilët 41.3% të shpenzimeve mujore e çojnë për blerjen e ushqimeve. Në vendin tonë, shtresa e mesme po braktis blerjen e produkteve cilësore, duke rendur drejt alternativave më të lira.

Sasitë më të pakta të blerjeve janë konfirmuar edhe nga të dhënat e tregtisë me jashtë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në janar të këtij viti, importi i ushqimeve në sasi pësoi rënie me 13%. Importet në vlerë janë tre herë më të larta se eksportet, ndërsa pjesa më e madhe e nevojave plotësohet me ushqime importi. Rënia e ushqimeve të importuara në sasi nisi vitin e kaluar, duke reflektuar mungesën e fuqisë blerëse.

Shqipëria renditet e para në Europë për numrin e madh të popullatës në pasiguri për ushqim, e krahasueshme vetëm me disa shtete të Afrikës. Për shkak të kësaj brishtësie, popullsia e vendit tonë është e ekspozuar ndaj krizave globale dhe çmimeve të larta të importit.

SYRI TV/ Kriza e çmimeve i zhyt në varfëri shqiptarët, shtrenjtimi prek më shumë shtresën e mesme

Denonco