Pas akuzave se shkakton kancer, J&J ndërpret prodhimin e pudrës së famshme për bebe

Pas akuzave se shkakton kancer, J&J ndërpret prodhimin e pudrës së famshme për bebe

14:12, 14/08/2022

Johnson & Johnson (J&J) do të ndalojë prodhimin dhe shitjen e pudrës së bebeve me bazë talku në të gjithë botën nga viti i ardhshëm (talk – mineral, silikat i hidratuar i magnezit).

J&J përballet me dhjetëra mijëra padi nga gra që pretendojnë se pudra me bazë talk përmbante asbest dhe i shkaktoi atyre kancer në vezore. Por kompania ritheksoi qëndrimin e saj dhe vuri në dukje se studimet e pavarura ndër dekada tregojnë se produkti është i sigurt për t’u përdorur.

“Si pjesë e një vlerësimi të portofolit mbarëbotëror, ne kemi marrë vendimin komercial për të kaluar në pudrën për bebe me bazë niseshte misri. Ne qëndrojmë fort pas dekadave të analizave të pavarura shkencore nga ekspertë mjekësorë në mbarë botën që konfirmojnë se pudra për bebet e Johnson me bazë talku është e sigurt, nuk përmban asbest dhe nuk shkakton kancer,” tha J&J.

Në vitin 2020, J&J njoftoi se do të ndalonte shitjen e pudrës në SHBA dhe Kanada, sepse kërkesa kishte rënë pas asaj që e quajti “keqinformim” në lidhje me sigurinë e produktit pas një numri çështjesh ligjore.

Konsumatorët pretendojnë se produktet e talkut të J&J shkaktuan kancer për shkak të kontaminimit me asbest. Një hetim i vitit 2018 nga agjencia e lajmeve Reuters pretendoi se J&J e dinte prej dekadash se asbesti ishte i pranishëm në produktet e saj.

Në përgjigje të provave të kontaminimit me asbest të paraqitura në sallat e gjyqit, raporteve të mediave dhe ligjvënësve amerikanë, kompania i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Në tetor, J&J krijoi një filial, LTL Management, duke ia caktuar atij pretendimet për pudrën. Më vonë e vendosi atë në falimentim, gjë që ndërpreu paditë në pritje.

Përpara shpalljes së falimentimit, kompania u përball me kosto prej 3.5 miliardë dollarësh, duke përfshirë një në të cilin 22 grave iu dhanë më shumë se 2 miliardë dollarë.

Johnson’s Baby Powder është shitur për gati 130 vjet dhe është bërë një simbol i kompanisë. Pudra për fëmijë përdoret për parandalimin e skuqjeve dhe irritimit të lëkurës për bebet për shkak të pelenave dhe për përdorime kozmetike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco