Përvoja traumatike e homoseksualit me li të majmunit: Jam tjetër person pas saj

Përvoja traumatike e homoseksualit me li të majmunit: Jam tjetër person pas saj

09:50, 12/08/2022

Shtetet e Bashkuara e shpallën linë e majmunit emergjencë shëndetësore javën e kaluar. Vendimi erdhi pas shqetësimeve se duhet të bëhet më shumë për ta vënë nën kontroll virusin. Në lidhjet e përditshme private në aplikacionin “Zoom”, homoseksualët po i shkëmbejnë përvojat e tyre.

Ata po e shprehin zemërimin për përpjekjet e tyre që të testohen ose trajtohen, por po kthehen prapa nga profesionistët shëndetësorë, shkruan BBC.

Të infektuarit japin ide se si të përballohet dhimbja, e cila përkeqësohet pas secilës flluskë të re në lëkurë dhe i lë pa mundësi për të bërë ndonjë gjë.

Rasti i parë me li të majmunit në ShBA u regjistrua më 18 maj në Massachusetts. Nga ajo kohë, mbi 10.000 raste janë raportuar në mbarë vendin, në çdo shtet amerikan përpos në Wyoming.

Ndonëse kushdo mund të infektohet me linë e majmunit përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me një person ose sipërfaqe të infektuar, burrat në marrëdhënie intime me burra e përbëjnë shumicën e rasteve.

Të enjten e kaluar, qeveria federale e shpalli emergjencën shëndetësore për shkak të përhapjes së lisë së majmunit. Ky vendim pritet që t’i përshpejtojë shpërndarjen e vaksinave, trajtimin dhe burimet përkatëse.

Ata që tashmë kanë pësuar nga virusi, shpresojnë që kjo ndihmë të kishte ardhur shumë më shpejt.

“Është përvojë shumë traumatike. Unë jam person tjetër pas kalimit nëpër këtë. Nëse nuk e ke provuar, nuk e ke idenë se çfarë lloji i dhimbjes është dhe burokracia që lidhet me përpjekjet për të marrë ndihmë dhe përkrahje”, tha Jeffrey Galaise, organizator i kontakteve në aplikacionin “Zoom”.

Burri 41-vjeçar nga Nju Jorku filloi të ndihej i sëmurë në ditën kur kishte planifikuar që ta merrte vaksinën.

Tashmë në ditën e 25-të të sëmundjes, ai ka përjetuar çdo simptomë, nga plagët në lëkurë e nyjat e ënjtura limfatike deri te temperatura e lartë.

Ndonëse vetëdija publike po rritet, ende nuk ka vaksina të mjaftueshme dhe administrata e Bidenit ka thënë se do ta shtojë numrin e vaksinave duke ia dhënë një personi vetëm një të pestën e dozës së plotë.

Por virusi po përhapet shpejt në shtetet më të mëdha si Florida, Kalifornia e Nju Jorku. Në San Francisko, një senator shtetëror tha se kërkimi i vaksinës duket si “Lojërat e Urisë”, referencë ndaj një filmi distopik, ku njerëzit luftojnë deri në vdekje për të siguruar ushqim dhe gjësende të tjera.

Burri nga Nju Jorku pretendon se informatat për trajtimin e virusit pas infektimit janë të pakta. “Njerëzit vërtet po vuajnë dhe askush nuk di se çfarë të bëjë”, tha ai.

Burrat homoseksualë nga pjesë të ndryshme të ShBA-së bëhen pjesë e bisedave në “Zoom”, të cilat, në të vërtetë, janë bërë grup i përkrahjes dhe hapësirë e përbashkët për sigurimin e burimeve.

Silver Steele, argëtues për të rritur nga Teksasi, ka marrë pjesë në disa biseda. Sprova e tij me linë e majmunit zgjati gati një muaj. Flluskat iu shfaqën përreth gojës, duke ia vështirësuar ngrënien e ushqimit dhe ka humbur gati gjashtë kilogramë.

Përpos përdorimit të një ilaçi antiviral të njohur si “Tpoxx”, për të cilin ka mungesë, “e tëra që mund të bësh vërtet është menaxhimi i dhimbjes”, tha ai.

Prapëseprapë, burri 42-vjeçar e konsideron veten me vat, sepse ka dëgjuar “rrëfime horror” nga pacientët e tjerë – për plagë anale që të bëjnë të ndihesh sikur po nxjerr nga zorra gjilpëra dhe plagë në organin gjenital, që janë shndërruar në infeksione bakteriale në vete.

“Edhe pse fytyra ime dukej vërtet e shpërfytyruar, nuk kisha asgjë nën bel”, tha ai.

Lia e majmunit nuk është virus i ri. Në të vërtetë, ajo është endemi në disa pjesë qendrore e perëndimore të Afrikës. Por përhapja e saj në komunitetin e homoseksualëve këtë vit i ka shfaqur të metat e sistemit të shëndetit publik, pasi edhe grupe të tjera, përfshirë gratë dhe fëmijët, tashmë po sëmuren.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco