Përparim në rritjen e embrionit sintetik, por rritja e organeve njerëzore mbetet larg për t’u arritur

Përparim në rritjen e embrionit sintetik, por rritja e organeve njerëzore mbetet larg për t’u arritur

10:11, 09/08/2022

Shkencëtarët e qelizave embrionale thonë se kanë krijuar për herë të parë “embrione sintetike” pa përdorur spermën, vezët apo fekondimin, por perspektiva e përdorimit të një teknike të tillë për rritjen e organeve njerëzore për transplantim mbetet e largët.

Lajmi u përshëndet si një hap i madh përpara, megjithëse disa ekspertë thanë se rezultati nuk mund të konsiderohet plotësisht si embrion dhe paralajmëruan për mundësinë e shkeljeve etike në të ardhmen.

Në hulumtimin e botuar këtë javë në revistën Cell, shkencëtarët në Institutin e Shkencës Weizmann në Izrael thanë se gjetën një mënyrë për t’i bërë qelizat embrionale të miut të vetë-bashkohen në struktura të ngjashme me embrionin në laborator.

Ata filluan duke mbledhur qeliza nga lëkura e minjve, dhe më pas i bënë ato të ktheheshin në gjendjen e qelizave embrionale.

Qelizat embrionale më pas u vendosën në një inkubator të posaçëm të krijuar nga studiuesit, i cili lëvizte vazhdimisht për të imituar barkun e nënës.

Shumica dërrmuese e qelizave nuk arritën të formonin asgjë.

Por 50 – 0.5 përqind e 10,000 qelizave në total – u mblodhën në sfera, e më pas në struktura të ngjashme me embrionin, thanë studiuesit.

Pas tetë ditësh – rreth një e treta e periudhës 20-ditore të shtatzënisë së miut – kishte shenja të hershme të trurit dhe rrahjes së zemrës, shtuan studiuesit.

Ato u përshkruan si 95% të ngjashëm me embrionet normale të miut.

‘Koha do ta tregojë’

Nëse organet e njeriut mund të rriteshin një ditë në laborator, teknika mund të sigurojë transplante që do të mund t’u shpëtonin jetën mijëra njerëzve çdo vit.

Shkencëtari i qelizave embrionale Jacob Hanna, i cili udhëhoqi hulumtimin, i tha agjencisë AFP se “Problemi i madh me transplantimin është se duhet të gjesh një donator me të cilin të përputhen parametrat dhe ADN-ja nuk është kurrë identike me pacientin”.

Por duke përdorur teknikën e re, një ditë shkencëtarët mund të marrin qeliza nga mëlçia e një pacienti, për shembull, dhe t’i përdorin ato për të krijuar qeliza embrionale, për të rritur një embrion sintetik dhe pastaj “i transplanton ato përsëri te pacienti”, tha shkencëtari Hanna.

“Qeliza do të krijohet nga pacienti, kështu që do të jetë ADN-ja e njëjtë – pa patur nevojë për të gjetur donatorë dhe organizmi nuk do të ketë refuzim,” shtoi ai.

Ndërsa ato janë strukturat më të avancuara sintetike të ngjashme me embrionet e rritura ndonjëherë, disa shkencëtarë që nuk u përfshinë në kërkim paralajmëruan që të mos i quanin ato “embrione”.

“Këto nuk janë embrione,” tha për AFP-në shkencëtari francez i qelizave embrionale Laurent David.
Ai preferoi t’i quante ato embrioide, emërtimi për një grup qelizash që i ngjajnë embrionit.

Megjithatë, zoti David mirëpriti hulumtimin “shumë bindës”, për të cilin ai tha se mund të lejojë eksperimente të mëtejshme për të kuptuar saktësisht se si formohen organet.

Përveç organeve, shkencëtari Hanna tha se embrioidet mund të ndihmojnë gjithashtu në identifikimin e objektivave të rinj për barnat dhe potencialisht të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve për një sërë çështjesh si humbja e shtatzënisë, infertiliteti, endometrioza dhe preeklampsia.

“Koha do ta tregojë”, tha ai.

Hanna, një palestinez që drejtoi kërkimin në institutin në Izrael, tha: “Shkenca është largimi im nga realiteti i ashpër me të cilin përballem ndërsa jetoj në atdheun tim.”

“Dhe unë jam një nga ata me shumë ‘fat’”, shtoi ai.

Autori i studimit është një student i doktoraturës nga territori palestinez i Gazës, që ka nevojë për një leje speciale që rinovohet rregullisht për ta lejuar atë të punojë në institutin në qytetin izraelit të Rehovotit.
Implikimet etike

Jacob Hanna ka themeluar kompaninë, Renewal Bio, për të cilën tha se “do të përqëndrohet në testimin e aplikacioneve të mundshme klinike të embrioneve sintetike njerëzore”.

Ai tha se ata kishin miratimin për një testim të tillë në Izrael dhe se ai ishte i ligjshëm në shumë vende të tjera si SHBA dhe Britani.

“Duhet të kujtojmë se embrionet sintetike janë embrioide dhe jo embrione reale dhe nuk kanë potencial për t’u bërë të zbatueshme,” tha ai.

Por studiuesit që nuk u përfshinë në studim thanë se ishte shumë herët për të konsideruar përdorimin e një teknike të tillë për njerëzit.

Alfonso Martinez Arias i Universitetit Pompeu Fabra të Spanjës tha se zbulimi “hap derën për studime të ngjashme me qelizat njerëzore, megjithëse ka shumë pengesa rregullatore për të kaluar në fillim dhe, nga pikëpamja e eksperimenteve, ato të kryera tek sistemet njerëzore mbeten prapa atyre të kryera tek minjtë”.

Synimi për të marrë rezultate të ngjashme nga qelizat njerëzore ka të ngjarë të hapë një debat të ashpër etike.

“Megjithëse perspektiva e embrioneve sintetike njerëzore është ende e largët, do të jetë thelbësore të përfshihemi në diskutime më të gjera rreth ndërlikimeve ligjore dhe etike të një kërkimi të tillë,” tha James Briscoe nga Instituti britanik Francis Crick./VOA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco