Për gratë, a ka ndonjë lidhje midis hipotiroidizmit dhe infertilitetit?

Për gratë, a ka ndonjë lidhje midis hipotiroidizmit dhe infertilitetit?

17:27, 16/01/2022

Ekziston një lidhje midis hipotiroidizmit (kur keni një gjëndër tiroide joaktive) dhe infertilitetit tek gratë.

Nëse keni hipotiroidizëm, gjëndra juaj tiroide nuk prodhon mjaftueshëm disa hormone të rëndësishme. Nivelet e ulëta të hormoneve tiroide mund të ndërhyjnë në lirimin e qelizës vezë nga vezoret tuaja (ovulacioni), gjë që dëmton fertilitetin.

Përveç kësaj, disa nga shkaqet tjera të hipotiroidizmit, të tilla si disa çrregullime autoimune ose çrregullimet e hipofizës, mund të dëmtojnë fertilitetin.

Për gratë, trajtimi i hipotiroidizmit është një pjesë e rëndësishme e çdo përpjekjeje për të korrigjuar infertilitetin.

Nëse infertiliteti mbetet edhe pas korrigjimit të hipotiroidizmit, duhet kërkuar edhe shkaqe tjera që e pengojnë mbetjen tuaj shtatzënë.

Nëse keni hipotiroidizëm dhe provoni të mbeteni shtatzënë, konsultohuni me endokrinologun për t’u siguruar që hipotiroidizmi juaj është nën kontroll.

Nëse keni hipotiroidizëm dhe mbeteni shtatzënë, njoftoni menjëherë mjekun tuaj. Monitorimi i kujdesshëm i nivelit të hormoneve tiroide gjatë shtatzënisë e mundëson zhvillimin normal të fetusit dhe e zvogëlon rrezikun e abortit.

Në ç’mënyrë hipotiroidizmi e shkakton infertilitetin?

▪ Hipotiroidizmi mund të shkaktojë infertilitet duke e çrregulluar ovulimin (edhe nëse cikli menstrual është i rregullt).

▪ Gratë me hipotiroidizëm të padiagnostikuar të cilat mbesin shtatzënë kanë një rrezik të lartë që të abortojnë. Për më tepër edhe nëse jeni diagnosikuar me hipotiroidizëm dhe tashmë jeni duke u trajtuar dhe gjendja është stabilizuar me mjekim, megjithatë gjendja juaj duhet të monitorohet nga afër.

▪ Disa gra me hipotiroidizëm kanë nivele të larta të prolaktinës (hormoni që nxit prodhimin e qumështit të gjirit tek gratë pas lindjes). Prolaktina e pengon mbetjen tuaj shtatzëninë duke parandaluar ovulimin.

▪ Një efekt interesant i hipotiroidizmit është një gjendje e njohur si “defekt i fazës luteale”. Faza luteale është gjysma e dytë e ciklit menstrual, që zgjat nga ovulimi deri në menstruacionet e ardhshme. Kjo fazë zakonisht zgjat nga 12-16 ditë, por nëse faza luteale në mënyrë kronike zgjat më pak se dhjetë ditë, atëherë do të ketë probleme të fertilitetit pasi që endometriumi (shtresa e mitrës ku do të zhvillohet embrioni) nuk mund të trashet mjaftueshëm për embrionin për t’u implantuar dhe ai do të nxirret nga mitra me gjakderdhjen e ardhshme menstruale.

Nëse jeni duke planifikuar një shtatzëni, duhet të njoftoni mjekun tuaj dhe në mënyrë ideale të bëni një analizë gjaku përpara se të mbeteni shtatzënë.

Ne rekomandojmë që nëse jeni duke u mjekuar me levotiroksinë, ideale është që niveli i TSH duhet të mbahet në gjysmën e poshtme të vlerave të referencës përpara shtatzënisë, pasi kjo është shoqëruar me një rrezik më të ulët të abortit.

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco