Njësoj si tani me koronën/ Si reagojnë të pasurit kur bie murtaja

Njësoj si tani me koronën/ Si reagojnë të pasurit kur bie murtaja

20:22, 27/04/2020

Nga Kathryn McKinley, The Conversation

Koronavirusi mund të infektojë këdo, por raportimet e fundit tregojnë se statusi juaj socio-ekonomik luan një rol të madh, me një kombinim të sigurisë në punë, aksesit te kujdesi shëndetësor dhe lëvizshmërisë, duke zgjeruar hendekun në rastin e infeksioneve dhe shkallën e vdekshmërisë mes të pasurve dhe të varfërve.

Të pasurit punojnë nga distanca dhe mund të arratisen drejt resorteve ose shtëpive të dyta baritore, teksa të varfrit në zonat urbane janë paketuar në apartamentet e vogla dhe shpesh detyrohen të vazhdojnë punën.

Si një medievaliste (studiuese e Mesjetës), kam parë një version të kësaj historie më parë.

Pas shpërthimit të Vdekjes së Zezë në vitin 1348, shkrimtari italian Xhovani Bokaçio shkroi një koleksion me 100 tregime me titull: Dekameroni. Këto histori, edhe pse imagjinare, na ofrojnë një dritare në jetën mesjetare gjatë Vdekjes së Zezë- se si u hapën sërish hendeqet mes të pasurve dhe të varfërve. Historianët e kulturës e shohin sot ‘Dekameronin’ si një burim të paçmuar informacioni mbi jetën e përditshme në Italinë e shekullit të 14-të.

Bokaçio lindi në vitin 1313 si djali i paligjshëm i një bankieri nga Firence. Si produkt i klasës së mesme, ai shkroi te ‘Dekameroni’ për tregtarët dhe shërbëtorët. Kjo ishte e pazakontë në kohën e tij, pasi letërsia mesjetare prirej të përqendrohej te jeta e fisnikëve.

‘Dekameroni’ nis me një përshkrim të frikshëm të Murtajës së Zezë, e cila ishte kaq e egër, sa një person që prekej do të vdiste brenda katër deri në shtatë ditë. Mes viteve 1347 dhe 1351, ajo vrau mes 40 dhe 50 përqind të popullsisë në Europë. Disa nga anëtarët e familjes së Bokaçios ndërruan jetën.

Në këtë pjesë të hapjes, Bokaçio përshkruan të pasurit duke u izoluar në shtëpi, ku shijojnë verë cilësore, muzikë dhe të tjera argëtime. Shumë të pasurit- të cilët Bokaçio i përshkruan si ‘të pamëshirshëm’- braktisën lagjet e tyre, duke u tërhequr në pronat e tyre të rehatshme në fshat, ‘sikur murtaja kishte për qëllim të dëmtonte vetëm ata që mbeteshin brenda mureve të qytetit’.

Ndërsa klasa e mesme ose e varfër, e detyruar të qëndronte në shtëpi, u prek nga murtaja në lagjet e tyre dhe ndërronin jetë me shpejtësi. Shërbëtorët vazhdonin të shërbenin për të sëmurët në shtëpitë e pasura, duke u prekur vetë nga sëmundja. Shumë njerëz, të paaftë për të lënë Firencen, dhe të bindur për vdekjen e tyre të shpejtë, vendosën të pinë dhe të festojnë ditët e tyre të fundit në argëtime nihiliste, kurse në zonat rurale, punëtorët vdisnin ‘si bishat brutale sesa si qenië njerëzore, pa asnjë mjek pranë’.

Pas një përshkrimi të zymtë të murtajës, Bokaçio zhvendoset te 100 tregimet. Ato rrëfehen nga 10 fisnikët që kanë shpëtuar nga vdekja që vërtitej mbi Firence.

Një nga çështjet kryesore te ‘Dekameroni’ është se si pasuria dhe avantazhi mund të dëmtojë aftësinë e njerëzve për të treguar empati me vështirësitë e të tjerëve. Bokaçio e nis me fjalën e urtë ‘është në thelb njerëzore që të tregosh keqardhje për ata që janë duke vuajtur’. Megjithatë, në shumë prej tregimeve, ai vazhdon të prezantojë personazhe që janë indiferentë të vrazhdë ndaj dhimbjes së njerëzve, të verbuar nga ambiciet e tyre.

Në një prej historive, një njeri i vdekur kthehet nga ferri çdo të premte dhe masakron vazhdimisht të njëjtën grua që e kishte refuzuar kur ishte gjallë. Në një tjetër, një grua e ve e largon një prift lakmitar duke i bërë një marifet që të flinte me shërbëtoren e saj. Në një të tretë, narratori vlerëson një personazh për besnikërinë e padurueshme ndaj mikut të tij, kur në të vërtetë ai e ka tradhtuar thellësisht atë mik gjatë shumë viteve.

Njerëzit, duket sikur thotë Bokaçio, e mendojnë veten të fortë dhe me moral- por pa dijeninë e tyre tregojnë indiferentizëm ndaj të tjerëve.

Bokaçio dëshironte të sfidonte lexuesit e tij dhe t’i bënte të mendonin për përgjegjësitë e tyre ndaj të tjerëve. ‘Dekameroni’ shtron pyetjen: “Si lidhen të pasurit me të varfrit gjatë kohërave të vuajtjeve të mëdha? Cila është vlera e një jete?”

Në këtë pandeminë tonë, me miliona të papunë për shkak të virusit që ka vrarë mijëra, këto çështje janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco