Raheem Sterling është përjashtuar nga skuadra e Anglisë për ndeshjen kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi të enjten, pas një zënke në stërvitje me bashkatdhetarin e vet, yllin e Liverpoolit, Joe Gomez.
Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, tha se Sterling ishte ende nën emocione të derbit Liverpool-Manchester City, gjatë të cilit ai ishte përfshirë në një përleshje me Gomezin.
Sterling dhe Gomez u grindën në fitoren e Liverpoolit 3-1 kundër Mannchester Cityt të dielën në Premierligë dhe zënkën e vazhduan edhe pasi u grumbulluan nga Kombëtarja e Anglisë.
Përleshja e së hënës në stërvitje me “Tre luanët” i ka kushtuar Sterlingut me humbjen e mundësisë për të luajtur të enjten kundër Malit të Zi në “Wembley”.
Pas tri ditësh, Anglia e viziton Kosovën në ndeshjen përmbyllëse të Grupit A kualifikues dhe nuk dihet nëse Sterling do të luajë.
Nuk janë bërë publiket detajet e incidentit, por Federata e Futbollit e Anglisë ka konfirmuar se Sterling do të mbetet me skuadrën.
“Kemi vendosur që mos ta konsiderojmë Sterlingun për ndeshjen me Malin e Zi të enjten”, tha Southgate.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: