Kosova synon fitoren në përballjen me Izraelin për kualifikimet Euro 2024

Kosova synon fitoren në përballjen me Izraelin për kualifikimet Euro 2024

10:52, 25/03/2023

Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar stërvitjen e fundit kualifikuese për “Euro 2024” kundër Izraelit, e cila zhvillohet sot në stadiumin “Bloomfield” në Tel Aviv në orën 18:00 (sipas kohës në Kosovë).

Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, stërvitja e fundit i ka shërbyer futbollistëve për t’u ambientuar me fushën e këtij stadiumi.

Përzgjedhësi i Kombëtares, Alain Giresse në konferencë për media, ka deklaruar se ekipi i tij është përgatitur në çdo aspekt dhe ka udhëtuar me synim për të realizuar fitore. Ai e pranoi se kjo përballje nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi izraelitët luajnë në shtëpi dhe do ta kenë përkrahjen e 30 mijë tifozëve, shkruan Klankosova.tv.

“Kemi bërë përgatitjet tona maksimale dhe sigurisht që synimet i kemi për rezultat pozitiv. Jemi përgatitur në çdo aspekt për këtë ndeshje. Të gjithë lojtarët janë gati dhe ata e dinë rënëdësinë e këtij ballafaqimi. Nuk kemi asnjë lojtar të lënduar dhe të gjithë janë në formë të mirë. Edhe pse objektivi ynë është kualifikimi në Euro 2024, jemi të vetëdijshëm se nuk varet gjithçka nga kjo ndeshje. Duhet të japim maksimumin në çdo duel dhe besoj se kemi gjasa të mira për ta arritur objektivin”, ka thënë Giresse.

Por, ai të vetmin rrezik nga ekipi kundërshtar e sheh nga toplojtari izraelit Manor Solomon.

Portieri i Kombëtares, Samir Ujkani është shprehur optimist për rezultatin e ndeshjes.

“Ky është një cikël i ri kualifikues dhe ne kemi synimet tona për t’u kualifikuar në Evropian. Ndaj Izraelit synojmë rezultat të mirë. Jemi rritur së bashku dhe jemi gati për suksesin historik. Duam që të mbledhim sa më shumë pikë në këtë rrugëtim dhe çdo ndeshje do të jetë si finale për ne. Të gjithë kundërshtarët janë të fortë në grup dhe nuk duhet nënvlerësuar. Por, ne kemi besim dhe në secilën ndeshje do të futemi për rezultat pozitiv, duke dhënë më të mirën nga vetja”, ka thënë Ujkani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco