Nations League për vajza, Riza: Kjo skemë rrit 50% shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Europian

Nations League për vajza, Riza: Kjo skemë rrit 50% shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Europian

15:27, 01/12/2022

Duke nisur nga shtatori i vitit të ardhshëm, kompeticioni i futbollit mes kombëtareve europiane i organizuar nga UEFA, ‘Liga e Kombeve’ nuk do të luhet më vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat.

Një risi nga UEFA, që do të aplikohet edhe për kualifikueset e Kampionatit Europian dhe Botëror për femra e që i jep mundësinë ekipeve të femrave të luajnë shanset e tyre kundër ekipeve me thuajse të njëjtin nivel mes tyre.

Një mundësi e tillë favorizon edhe Kombëtaren shqiptare të futbollit, që është në Ligën C të këtij kompeticioni, duke qenë se ndarja e ekipeve është bazuar në renditjen e UEFA-s për këtë vit.

Për të kuptuar më mirë se si do të funksionojë kjo skemë e re e UEFA-s, Florian Riza, Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF shpjegon se fillimisht, Shqipëria do të konkurrojë në Ligën C dhe do të kërkojë një vend në grupet e Ligës B, nga ku fillon edhe ëndrra për t’u kualifikuar në Europianin e vitit 2025 për femra.

“UEFA vjen me risi në këtë fillim sezoni. Për herë të parë, ekipet kombëtare për femra do të zhvillojnë atë që quhet Nations League, që konsiston në tre liga: A, B dhe C. Dy të parat me nga 16 ekipe dhe Liga C me 19 ekipe, për të plotësuar numrin total të ekipeve të femrave që militojnë në Europë. Shqipëria, fatmirësisht apo fatkeqësisht ndodhet në Ligën C dhe jemi të 33-tët. Pra na ndan vetëm një post nga dy ligat e para, A dhe B. Dhe do të luajmë në këtë ligë për herë të parë në Nations League me ekipin kombëtar të femrave.

Çdo fitues i grupit të Ligës C do të promovohet për në Ligën B dhe pastaj çdo fitues i çdo grupi në Ligën B do të promovohet për në Ligën A. Nations League do të zhvillohet nga shtatori i vitit 2023 deri në mars të vitit 2024” – shpjegon për fshf.org.

Florian Riza, i cili nënvizon edhe se formula për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian ka ndryshuar, duke qenë se në finalet e Europianit do të jenë 16 ekipet e Ligës A, ku pesë prej tyre do të vijnë nga grupet e Ligës 5, ndërsa pesë ekipe të Ligës A do të zbresin në Ligën B.

“Formula e eliminatoreve të Kampionatit Europian për femra ka ndryshuar gjithashtu. Do të kemi të njëjtin format si Nations League, por që do të promovojë 16 ekipet finaliste në Kampionatin Europian për femra 2025. Të gjitha ekipet që dalin të parat në Ligën B dhe e dyta më e mirë në Ligën B, promovohen në Ligën A.

Ndeshjet e këtyre kualifikueseve me formatin Nations League zhvillohen nga marsi i vitit 2024 deri në tetor të vitit 2024. Nëse Shqipëria do të kalojë fillimisht Ligën C dhe do të dalë e para e grupit të saj, ku do të luajë me ekipe më të dobëta sesa ajo, do të promovohet në Ligën B dhe në këtë ligë, nëse do të luajë me ekipe që janë të nivelit të saj, do të ketë mundësinë që të luajë për të hyrë në finalet e Kampionatit Europian 2025. Katër të parat e grupeve të Ligës B dhe e dyta më e mirë e grupeve të Ligës B do të promovohet për në Ligën A, që kompletojnë edhe 16 finalistet e Kampionatit Europian.

Katër ekipet më të dobëta të Ligës A dhe e treta më e dobët zbresin në Ligën B. Ky është rrotacioni midis ekipeve dhe është përzgjedhur kjo formulë për të pasur konkurrencën e duhur midis ekipeve dhe mos të bien në të njëjtin raund ekipe me diferenca të mëdha” – thotë Florian Riza për fshf.org.

Më tej, Përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave në FSHF tregon se mundësitë e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Europian janë rritur tashmë me 50% falë kësaj formule të re, pasi Kombëtarja do të shmangë përballjen me ekipe të nivelit të lartë.

“Shqipëria, nëse do të jetë në Ligën B, përjashton shansin e përplasjes me 11 ekipet më të mira që ka Europa për femra. Nuk përplaset me Gjermaninë, Anglinë, Spanjën, Norvegjinë e kështu me radhë.

Do të luajë me ato ekipe që quhen të dytë dhe të tretë në çdo grup. Nëse deri dje, luanim në një grup, ku dy kokat e grupit ishin absolutisht fituese dhe nuk kishim mundësi që të futeshim në finalet e një kampionati Europian apo Botëror, sot shanset janë rritur me 50% sepse do të konkurrojmë në një grup, ku njëri nga ekipet është i mirë dhe pjesa tjetër janë të nivelit tone” – shpjegon Florian Riza, i cili më tej tregon se kjo skemë do të funksionojë edhe për kualikueset e Kampionatit Botëror.

“E njëjta skemë do të funksionojë çdo vit deri në 2027. Do të luhet dy herë brenda një sezoni midis Kampionatit Europian dhe Botëror. Njëherë do të quhet Nations League, që do të pozicionojë ekipet nëpër Liga dhe herën e dytë formati do t’i përshtatet kualifikueseve për Kampionatin si Europian, ashtu edhe për Botëror” – thotë Florian Riza për fshf.org.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco