Gana mposht Korenë e Jugut dhe mban gjallë shpresat për kualifikim

Gana mposht Korenë e Jugut dhe mban gjallë shpresat për kualifikim

16:05, 28/11/2022

Gana ia del me sukses që në ndeshjen e dytë të Grupit H të marrë tre pikët e para në këtë Kupë Bote.

Kombëtarja afrikane mposhti me rezultatin 3-2 Korenë e Jugut, duke mbajtur “gjallë” shpresat për një kualifikim në raundin pasardhës.

Sa i takon kronikës së ndeshjes, Gana gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 24-të falë një goli të Mohammed Salisu.

Mbrojtësi i Southampton u tregua i shpejtë në reagim dhe me një goditje brenda zonës dërgoi skuadrën e tij në avantazh.

Kombëtarja afrikane shfrytëzoi momentin e mirë dhe pas dhjetë minutave, dyfishoi shifrat falë një goli të Mohammed Kudus.

Lojtari që aktivizohet në radhët e Ajaks u shfaq i lirë brenda zonës dhe me një goditje me kokë mposhti portierin Kim.

Me avantazhin e dy golave në favor të Ganës u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, koreano-jugorët u futën në fushë me një tjetër mentalitet.

Aziatikët gjetën golin e parë në minutën e 58-të, falë realizimit të Gue-Sueng që realizoi me kokë pas një harkimi nga krahu i majtë.

Vrulli i Koresë vijoi edhe pas golit, teksa tre minuta më pas, gjetën edhe golin e barazimit sërish me të njëjtin autor që sërish i “rrëshqiti” mbulimit të mbrojtjes kundërshtare.

Megjithatë, Gana e kaloi shpejt “ngërçin” dhe në minutën e 69-të u rikthyen në avantazh.

Ishte sërish sulmuesi Kudus që realizoi për të tijtë teksa me një goditje preçize brenda zone nuk i la shumë shans reagimi portierit Kim.

Në vijim, Korea e Jugut pati sërish mundësinë për të barazuar me anë të Lee, por goditja e këtij të fundit u largua në vijën fatale nga ana e Salisu.

Pas këtij episodi, Gana administroi mirë avantazhin dhe koleksionoi tre pikët e para në Grupin H duke marrë për momentin vendin e dytë të klasifikimit teksa ndeshjen e fundit në grup e luajnë përballë Uruguait.

Nga ana tjetër, Koreja e Jugut mbetet në vend të fundit me vetëm një pikë dhe ndeshjen e radhës e luan ndaj Portugalisë teksa është maksimalisht e rrezikuar për ta mbyllur në fazën e grupeve aventurën e saj në Botëror.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco