Erdhi dita e lojës dhe ende s’janë shitur biletat e ndeshjes Kosovë – Qipro

Erdhi dita e lojës dhe ende s’janë shitur biletat e ndeshjes Kosovë – Qipro

13:42, 27/09/2022

Dikur, Federata e Futbollit të Kosovës kishte rënë në hall të madh shkaku i biletave për ndeshjet e Kombëtares.

Kur ato shiteshin fizikisht, radhët e gjata të njerëzve shiheshin para pikave të shitjes së biletave, ndërsa një pjesë e madhe e tifozëve të interesuar për ta parë Kombëtaren e Kosovës mbeteshin jashtë stadiumit.

Më pas, as sistemi online nuk funksiononte si duhet pasi shpesh binte nga sistemi shkaku i mbingarkesës, ndërsa më pas biletat “avulloheshin”, duke i lënë kështu prapë tifozët të revoltuar.

Interesimi ishte i jashtëzakonshëm edhe kur “Dardanët” përballeshin me kundërshtarë të dobët.

Madje, thuhej që kishte deri në 100 mijë kërkesa për t’i parë Vedat Muriqin me shokë, në një stadium që i zë pak mbi 10 mijë njerëz.

Por, rezultatet e zbehta të kohëve të fundit kanë ndikuar edhe në (mos)interesimin e tifozëve.

Ditë më parë, shtëpia e futbollit kosovar njoftoi për daljen në shitje të biletave për ndeshjen me Qipron, e cila do ta mbyllë këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Por, edhe sot, në ditën e ndeshjes që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, si asnjëherë më parë për një ndeshje zyrtare, ka ende bileta në dispozicion dhe atë thuajse në krejt sektorët.

Në Jug e në Veri bileta kushton 5 euro, në Lindje 10 dhe në Perëndim 20 euro, derisa ato VIP 80 euro.

Federata e Futbollit e ka nxjerrë sot një njoftim, përmes së cilit tregon se ka ende bileta në shitje në sistemin online, duke e publikuar njëherësh edhe vegëzën se ku mund të blini bileta.

FFK-ja njëherësh ju bëri thirrje tifozëve për mbështetje të Kosovës pasi tash ka nevojë më shumë se kurrë, për t’iu shmangur rënies eventuale në Ligën D.

Aktualisht Kosova është e dyta në Grupin 2 të Ligës C me 6 pikë, një më shumë se Irlanda e Veriut dhe kundërshtari i sontëm – Qipro.

Verdhekaltërve ju mjafton një barazim për ta siguruar statusin e anëtarit të Ligës C edhe në edicionin e ardhshëm, por ata synojnë të fitojnë në ndeshjen që do të fillojë në orën 20:45.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco