Interi fiton me vështirësi në sfidën hapëse, Monza debuton me humbje në Serie A

Interi fiton me vështirësi në sfidën hapëse, Monza debuton me humbje në Serie A

22:56, 13/08/2022

 

Interi vuan, por arrin të fitojë në frymën e fundit në ndeshjen hapëse të Serie A përballë Lecces me rezultatin 2-1. Zikaltrit arritën të fitonin në minutat shtesë falë golit të Dumfries, ndërsa më parë golat e Lukaku dhe Ceesay mbajtën sfidën në baraspeshë.

 Zikaltrit e nisin mirë ndeshjen dhe gjejnë menjëherë rrugën e rrjetës me rikthimin e bujshëm të kësaj vere, Romelu Lukakun. Sulmuesi belg shfrytëzoi mjaft mirë një top të Darmian dhe me një goditje me kokë i çon shifrat në 1-0.

Duket gjithçka e lehtë për Interin që edhe në minutat në vazhdim krijon raste të mira, por pa mposhtur dot portierin kundërshtar. Më pas rritmi bie ndjeshëm dhe ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me avantazhin minimal të zikaltërve.

Pjesa e dytë nis në mënyrë surprizë me Leccen që vendos sërish baraspeshën me Ceesay. Sfida shkon në 1-1 dhe Interi duhet të rinisë edhe njëherë për të gjetur avantazhin. Megjithatë, është Lecce që përpiqet të shfrytëzojë momentin e mirë dhe rrezikon portën e Handanovic, por pa sukses.

Nga ana tjetër Interi është në luftë me kohën dhe hidhet në sulm, me Inzaghin që provon gjithçka duke aktivizuar edhe Dzeko e Correa dhe duke luajtur me katër sulmues. Dumfries godet shtyllën, ndërsa portieri kundërshtar tregon se është në një ditë të mirë.

Megjithatë, kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një dështimi zikaltër, është Dumfries që devijon një top në zonë dhe e çon në rrjetë duke ngritur peshë stolin e Interit. Në fund festojnë zikaltrit që grumbullojnë edhe tre pikët e para të sezonit.

Në sfidën tjetër të kësaj mbrëmjeje Torino mposht në transfertë debutuesit e Monzës me rezultatin 2-1. Ekipi i Ivan Juric zhvilloi një ndeshje të mirë duke mbajtur në shumicën e kohës takimin në kontroll.

Është Miranchuk ai që zhbllokon rezultatin në fundin e pjesës së parë me një goditje të lehtë i vetëm me portierin. Ekipet shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin 1-0 në favor të Torinos.

Në pjesën  e dytë Toni Sanabria me një gol akrobatik dyfishon shifrat për Torinon duke krijuar më shumë siguri për tre pikët. Ndërkohë që Monza provon të rihapë takimin, por pa sukses deri në minutën e fundit të takimit.

Është Dany Mota ai që realizon golin e parë të Monzës në Serie A, por në fund tre pikët shkojnë për ekipin e Torinos.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco