Arsim Thaqi: Jemi kompletuar si ekip, kjo Malishevë më e fortë se e vitit të kaluar

Arsim Thaqi: Jemi kompletuar si ekip, kjo Malishevë më e fortë se e vitit të kaluar

18:47, 08/08/2022

Trajneri Arsim Thaqi ka konfirmuar se nuk do të ketë ndryshime tjera te Malisheva, ku beson se tani kanë një ekip më të mirë se vitin e kaluar.

Pas promovimit në Superligën e Kosovës për herë të parë në histori të klubit, Malisheva e siguroi mbijetesën në fund duke fituar në barazh ndaj Vushtrrisë.

Në një bisedë për gazetën Nacionale, Thaqi foli për fazën parapërgatitore duke deklaruar se janë kompletuar vonë si ekip dhe shpreson që lojtarët të ambientohen me kohë.

“Ne në të vërtetë jemi kompletuar vonë si ekip, shkaku i transferimeve ndërsa mbetet të shihet se si do të ambientohen lojtarët. Në rast që ambientohen mirë, atëherë do të jetë një përparësi por kjo do të shihet në fillimin e sezonit. Kemi lojtarë shumë kualitativ”.

I pyetur për synimet e klubit për edicionin 2022/23, tekniku malishevas nënvizoi se ende nuk dihen shumë qartë, por një gjë është e “sigurt se kjo Malishevë është më e fortë se e vitit të kaluar”.

“Ambiciet e klubit ende nuk janë bërë të ditura, por një gjë veçse është e sigurt se kjo Malishevë është më e fortë se e vitit të kaluar”.

Në fund, ai nënvizoi se nuk do të ketë prurje tjera shkaku që janë të kompletuar në të gjitha repartet.

“Jo, nuk do të ketë prurje të reja, pasi transferimi i fundit ka qenë Medin Bajrami, një lojtar shumë cilësor. Ne jemi kompletuar mirë si skuadër”, përfundoi Thaqi.

Përforcimet e Malishevës në afatin kalimtar veror

Malisheva padyshim ka qenë shumë aktive në këtë afat kalimtar, ku përpos largimeve ka pasur edhe disa prurje të rëndësishme – shumica prej tyre lojtarë me eksperiencë.

Futbollistët që iu bashkuan skuadrës së Arsim Thaqit janë: Medin Bajrami, Kastriot Repuca, Albion Shillova, Drilon Hazrollaj, Kreshnik Bahtiri, Alush Gavazaj, Bleart Tolaj, Arlind Veliu, Qlirim Avduli dhe Fiton Hajdari.

Ndërkohë, kujtojmë se përballja e parë për Malishevën në edicionin 2022/23 do të jetë kundër kampionit në fuqi, FC Ballkani, por raportohet se do të shtyhet shkaku që “Xhebrailat” të enjten do ta zhvillojnë sfidën kundër Kl-Klaksvik.

[Nacionale Facebook]
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco