Klubi Tirana reagon ndaj Veliajt: I painformuar, kemi shpenzuar 1 milionë e 700 mijë euro dhe...

Klubi Tirana reagon ndaj Veliajt: I painformuar, kemi shpenzuar 1 milionë e 700 mijë euro dhe...

21:08, 29/06/2022

Pas deklaratës së kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili akuzoi aksionerët e klubit të futbollit të Tiranës, se paratë e Bashkisë shkuan te familjarët e tyre, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i klubit bardheblu, që  nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare,  i është përgjigjur dhëmb për dhëmb Veliajt, duke pretenduar se klubi ka shpenzuar 1 milionë e 700 mijë euro dhe nuk punon në të zezë.

Vlen të theksohet fakti se klubi i Tiranës ka marrë së fundmi premion prej 15.000.000 lekë që akordon Bashkia Tiranë për skuadrën e cila shpallet kampione në Superiore.

REAGIMI I PLOTË I TIRANËS:

Nisur nga deklaratat dhe sensibiliteti i shtuar mediatik pas takimit të kryebashkiakut me ekipin e Klubit të Futbollit Tirana, dëshirojmë të bëjmë me dije se:

Me shqetësim konstatojmë se bashkë-aksioneri i KF Tirana është minimalisht i painformuar mbi situatën ligjore-financiare dhe administrative mbi të cilën funksionon klubi.

KF Tirana vetëm për vitin kalendarik 2020 ka shpenzuar 1,700,000 euro si edhe 1,330,000 euro për vitin 2021; nga të cilat vetëm për vitin 2020 janë 260,000 euro shpenzime administrative si edhe 1,007,000 euro shpenzime për pagat dhe shpërblimet e lojtarëve. Klubi ka likuiduar në vlerën 240,000 euro pagesat për kontributet shoqërore dhe shëndetësore si edhe tatimore për vitin 2020.

Askush nuk mund të mendojë se një klub që shpenzon të tilla financa vetëm brenda një sezoni të mund të përfitojë në mënyrë jokorrekte një premio prej 15.000.000 LEK që Bashkia Tiranë akordon për ekipet fituese, kur ato i përkasin kryeqytetit.

Sa i përket akuzës për përfitime personale, dëshirojmë të sqarojmë se kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë me presidentin dhe familjarët e tij dhe s’ka për të ndodhur as në të ardhmen. Aq më tepër kur ky i fundit shpenzon miliona në sezon për të mbajtur klubin. Në vendimin e Këshillit Bashkiak numër 122, datë 28.09.2020, në pikën 1, theksohet shpërblimi i Klubit të Futbollit Tirana sportistëve, stafit teknik, si edhe stafit mbështetës. Për të vijuar më tej në po të njëjtin vendim në pikën 2 theksohet se shpërblimi i akorduar do të lëvrohet drejtpërdrejt nga Bashkia e Tiranës në llogaritë bankare të përfituesëve. Kjo tregon se shpërblimi është kanalizuar drejtpërdrejtë në llogaritë bankare të përfituesëve edhe jo të Klubit.

Meqënëse çështja e informalitetit në futboll u përmend në takimin me futbollistët e KF Tiranës klubi zyrtarisht edhe me përgjegjësi të plotë deklaron edhe garanton se për informalitetin apo “puna në të zezë” K.F Tirana depoziton pranë tatimeve çdo vit bilancin e vet. Të gjitha pagesat, transfertat dhe çdo veprim tjetër kryhet përmes sistemit bankar. Bilanci vjetor depozitohet gjithashtu cdo vit brenda datës 31 Mars edhe në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë. Vëmë në dukje se çdo vit klubi i nënshtrohet licencimit të detajuar financiar dhe jo vetëm, të UEFA-s, duke plotësuar të gjitha kriteret rigoroze të insitucionit më të lartë të futbollit Europian.

Situata të ndërlikuara financiare i përkasin një kohe tjetër të largët, në kohën e administrimit të Klubit nga Bashkia Tiranë. Presidenti prej kohësh, si edhe aktualisht po shlyen borxhe të vjetra dhe të mbartura. Ne jemi pjesë e atyre që sigurohemi që KF Tirana të mbetet një klub lider në futbollin tonë, një institucion që ndjek dhe respekton të gjitha ligjet dhe marrëveshjet, pa i shkaktuar as dëmin më të vogël shtetit, institucioneve dhe secilit që ka marrëveshje me klubin tonë.

Vlen të përmendet se kampione e Shqipërisë ka dalë KF TIRANA dhe jo vetëm futbollistët e fushës së lojës, të cilët padyshim kanë merita të padiskutueshme dhe meritojnë mirënjohjen dhe vlerësimin e të gjithëve, si dhe pagesat dhe shpërblimet që kanë marrë gjatë gjithë sezonit. Kampionë të Shqipërisë kanë dalë të gjithë ata qe e ndiejnë atë fanellë dhe që mbushin cdo vit shkallët e stadiumit jo vetëm në momente triumfi.

Sqarimi i mësipërm ishte i domosdoshëm për tifozët si edhe të gjithë dashamirësit e klubit. Për çdo gjë në vijim do të merremi pas paraqitjes tonë në kompeticionet e Champions League.

E ardhmja kërkon themele të shëndosha dhe kjo arrihet kur të gjitha palët bashkëpunojnë me reciprocitet të plotë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco