Derbi i kryeqytetit/ Bledi Shkëmbi kërkon fitoren kundër Tiranës

Derbi i kryeqytetit/ Bledi Shkëmbi kërkon fitoren kundër Tiranës

15:49, 23/01/2022

Të gjithë vëmendjen do e marri derbi i kryeqytetit mes Dinamos dhe Tiranës që do të luhet ditën e nesërme në orën 19:45 në “Air Albania”.

Bardheblutë dhe blutë do të ndeshen për 3 pikët e radhës, me skuadrën e Bledi Shkëmbit që pas fitores kundër Kukësit javën e kaluar do të kërkojnë fitoren ndaj  Tiranës së Orges Shehit.

Në konferencën për shtyp trajneri Shkëmbi ka folur për përballjen më Tiranën, ku tekniku i bluve shpreson të marri një tjetër fitore ndaj një skuadër të fortë siç është Tirana kryesuese. Sa i përket lojtarëve që do hedhë në fushën e lojës, Shkëmbi tregoi do i besojë përsëri formacionit fitues që ishte ndaj Kukësit.

“Fitorja ka ardhur në momentin e duhur, ishte një fitore e bukur dhe e merituar kundër një kundërshtari të vështirë. Por, mendoj që nuk kemi apo do të kemi eufori sepse jemi akoma poshtë dhe nuk kemi bërë akoma asgjë. Fitorja që të ketë më shumë vlera duhet të shoqërohet me një rezultat pozitiv nesër ndaj Tiranës.

Mendoj që i kemi mundësitë për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të fituar takimin, ne për këtë do të luajmë. Në futboll e folura para ndeshjes me atë që ndodh më pas në fushë është e ndryshme. Besojmë se do të bëjmë një ndeshje të mirë, shpresojmë që të kemi edhe fatin në favor, pasi në derbi dhe ndaj një kundërshtari të fortë duhet edhe fati”.

Chinedu mungon- “Do të donim t’i kishim të gjithë lojtarët, në futboll ka gjithnjë mungesa dhe ne kemi pasur fatin e keq që në shumë ndeshje kemi pasur mungesa siç është edhe ajo e Chinedu, por shpresoj që goli të vijë edhe nga mbrojtësit apo mesfushorët”.

Çfarë ka ndryshuar? “Kemi më shumë cilësi dhe eksperiencë që në futboll ka të bëjë shumë. Reginaldo ka akoma punë për të bërë dhe unë e njoh dhe ka akoma më shumë për të dhënë. Nga lojtarët pres atë që duhet të bëjnë në një derbi dhe kundër një kundërshtari nga më të fortët e kampionatit, motivimi nuk do të jetë problem.

Luhet në një stadium të bukur dhe të mirë, mendoj që për futbollistët është maksimalja. Kemi ndryshuar disa emra dhe vazhdojmë të punojmë me të njëjtin ritëm apo më shumë, ndoshta kemi kuptuar se duhet të bëjmë më shumë për të kaluar momentet e vështira në gjysmën e parë të sezonit.

Reginaldo nuk është ende gati për të qenë nga minuta e parë, nuk ka gjendjen fizike të duhur. Pothuajse do të jetë i njëjti formacion që luajti ndaj Kukësit. Jemi munduar të shikojmë pikat e dobëta të kundërshtarit, por edhe pikat e forta dhe Tirana ka disa të tilla. Në ndeshje pavarësisht çfarë përgatit, varet sa lojtarët janë në formë dhe të përgjegjshëm për atë që bëjnë.

Mendoj që ka edhe shumë ndeshje, janë edhe dy faza të tjera. E rëndësishme është që të kemi vazhdimësi, fitorja ndaj Kukësit ishte e bukur por duhet vazhdimësia për të marrë pikët dhe fitoret e tjera sepse me rezultatet pozitive të shkëputura nuk mund të shkojmë lart”, u shpreh tekniku i bluve.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco