Toni i sportit, medaljeve dhe leximit – Të përbashkëtat e trajnerit Driton Kuka dikur dhe sot

Toni i sportit, medaljeve dhe leximit – Të përbashkëtat e trajnerit Driton Kuka dikur dhe sot

13:03, 28/07/2021

Driton Kuka, trajneri i Klubit të Xhudos “Ippon” nga Peja, ku tashmë pjesë e tij janë kampionët botëror dhe evropian si Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora e Akil Gjakova, dashurinë për sportin në përgjithësi, si dhe atë të xhudos në veçanti e kishte shfaqur qysh në vitet e 80-ta, kur edhe e kishte paraqitjen e parë të tij në mediat e shkruara.

Është fjala për gazetën “Rilindja”, e cila asaj kohe ofronte hapësirën edhe për promovimin e talentëve të rinj, njëri prej të cilëve ishte edhe vet trajneri i tanishëm, Driton Kuka, që në Pejë njihet si Toni, i cili atëherë përpos që ishte nxënës i përkushtuar, dallohej edhe në sportin që sot e zotëron, madje duke u stolisur edhe me medalje.

Në gjurmimin tonë, kemi hasur se Toni ishte nxënës me pesa, i pëlqente leximi duke pasur madje edhe preferencat e tij ne veprat e shkruara, ndërsa qysh atëherë ishte edhe pjesë e ekipit të “Partizanit” të dikurshëm në kohën e ish-Jugosllavisë, duke marrë pjesë në turnetë e xhudos edhe jashtë qytetit ku jeton e deri tek medaljet e para atëherë.

Artikulli i atëhershëm ‘DRITONI I GJITHANSHËM’

Në shkollën fillore ‘Vëllëzërit Ribar’ të Pejës ka shumë nxënës të mirë.

Por në kësaj radhe veçuam Driton Kukajn që sapo ka filluar klasën e gjashtë.

Që nga klasa e parë në librezën e tij figurojnë vetëm pesat.

Përveçqë është nxënës shembullore, Dritoni është edhe lexues i pasionuar.

Ka lexuar më se 100 vepra, por përshtypje më të mirë i kanë lënë “Debatiku”, “Shtrepi i diellit”, “Lulja e shega” etj.

Ky vogëlush simpatik është edhe dashamirë i madh i sportit.

Është anëtarë i klubit “Partizani” të Pejës.

Në garat krahinore të xhudos, që u mbajtën në Ferizaj, u stolis me medalje të artë, si dhe mori mirënjohje të tjera.

E do shumë lojën e futbollit e sidomos lojën e Fadil Vokrrit.

U ndamë nga Dritoni duke i dëshiruar suksese akoma më të mëdha.

Kështu  shkruhej në artikullin e botuar në vitin 1983, nga gazetarja e atëhershme e gazetës “Rilindja”, Naime Beqiraj.

Rikujtimi i artikullit dhe komenti i Kukës

Beqiraj ka publikuar sot (e mërkurë) në profilin e saj privat në Facebook këtë artikull.

Ajo kujtoi kohën që sa kishte filluar gazetarinë me këtë shkrim dhe ky ishte i pari për të si gazetare.

Ky postim u pasua më vonë me komentin e vet trajnerin Driton Kuka.

“Shkrimi i parë për mua! – Sa shkrim i dashur dhe sa jam gëzuar që ma ke dërgua prapë pas luftës…”, ka shkruar Kuka.

 

Komenti i Driton Kukës

Përderisa atëherë njihej si sportist i ri dhe i zellshëm në nivel lokal, sot atë e njohim si një trajner të suksesshëm në nivel global, duke sjell rezultate në çdo organizim të garave evropiane botërore, si dhe Lojërave Olimpike.

Valdrin Daci

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco