Shqiptaro-amerikani Chris Nikic, atleti me sindromën “Down” që po frymëzon miliona vetë

Shqiptaro-amerikani Chris Nikic, atleti me sindromën “Down” që po frymëzon miliona vetë

20:46, 24/06/2021

Ai u bë personi i parë në histori me sindromën Down që përfundoi me sukses Trialtonin “Ironman” –  nderohet me Çmimin Jimmy V” ndërkohë që po përgatitet për Olimpiadën Speciale të vitit 2022

Nga Ruben Avxhiu

Shqiptaro-amerikani Chris Nikic është personi i parë me sindromën “Down” që përfundon me sukses Trialtonin e Njeriut të Hekurt (Ironman) dhe do të nderohet për këtë me Çmimin Jimmy V bën të ditur kanali i njohur televiziv amerikan i sporteve ESPN.

Çmimi Jimmy V u ndahet njerëzve që kanë arritur suksese në sport duke kapërcyer pengesa të jashtëzakonshme me këmbëngulje dhe vendosmëri.

Në nëntorin e vitit të kaluar, Nikic, që ishte 21 vjeç në atë kohë, përfundoi notimin e distancës 2,4 milje, bëri 112 milje me biçikletë si dhe vrapo maratonën prej 26.2 miljeve në konkursin Ironman Florida, në Panama City Beach.

Ai i përfundoi të treja për 16 orë, 46 minuta dhe 9 sekonda – pra 14 minuta përpara kohës kualifikuese.

Chris Nikic është nga Florida, djali i Nik Nikiçit që është krenar dhe mbështetësi më i madh i udhëtimit të jashtëzakonshëm që ka bërë i biri.

Chris u lind me shumë probleme fizike. Ishte vetëm 5-muajsh kur iu desh të bënte një operacion në zemër. Deri në moshën katër vjeç nuk ecte. Vetëm kur mbushi 5 vjeç filloi të hante ushqime të forta. Kur mbushi 17 kishte kryer 4-5 operacioni të mëdha, me probleme në vesh që ia ndërlikonin drejtpeshimin.

Mirëpo, vullneti i këtij djaloshi është i jashtëzakonshëm. Chris Nikic tani vrapon, noton, çiklon, ngre pesha, merr pjesë në një seri sportesh por mbi të gjitha frymëzon dhjetëra mijëra fëmijë e të rinj të tjerë si ai, me probleme fizike, që të gjejnë potencialin e tyre pavarësisht prej vështirësive.

Ai është emëruar edhe për Çmimin e Atletit më të Mirë me Paaftësi në Sportet e Meshkujve. Ndërsa po stërvitet që të marrë pjesë në Olimpiadën Speciale Botërore të vitit 2022.

Çmimi “Jimmy V” u krijua për të nderuar trajnerin e basketbollit të Universitetit të North Carolina-s, Jim Valvano që vdiq para kohe nga një sëmundje e rëndë. Për herë të parë u dha në 2007, për trajneren e basketbollit Kay Yow. Që atëhere e kanë marrë një numër atletësh që sjellin me vete histori frymëzuese që kanë sfiduar fatin.

“Si ambasador i Olimpiadës Speciale, unë përfaqësoj miliona atletë rretheqark botës që tani besojnë se përfshirja është e mundshme për ta”, tha Chris duke folur për ESPN për çmimin që po i jepet. “Ju falenderoj nga ana ime, por shumë më me rëndësi, në emër të komunitetit me sindromën Down dhe kolegët e mi atletë të Olimpiadës Speciale”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco