Dede: Tirana në rrugën e duhur, Muçi meriton komplimente të veçanta

Dede: Tirana në rrugën e duhur, Muçi meriton komplimente të veçanta

16:34, 13/12/2020

Nevil Dede shijon fitoren e dytë radhazi në pankinën e Tiranës, këtë herë me rezultatin bindës 3-0 ndaj Apolonisë, në një ndeshje ku dominuan edhe me lojë.

Në intervistën e dhënë për Supersport, Dede u shpreh i kënaqur me paraqitjen e të tijve, por ngurroi të komentojë zërat e merkatos.

Një ndeshje mjaft e mirë, me gola, raste dhe lojën nën kontroll…

Ndoshta duhej të shënonim më shpejt, për të qenë më të qetë, pro gjithsesi nëse vazhdojmë të luajmë kështu, do të thotë që jemi në rrugën e duhur drejt rritjes dhe imponimit ndaj kundërshtarit. Apolonia nuk ishte ai kundërshtari shumë i fortë, por presioni për rezultatin bën të gabosh ndonjëherë.

Lojtarët e sulmit po japin sinjale pozitive, por a prisni përforcime në janar?

Për mua të gjithë ata që luajnë përpara janë shumë të rëndësishëm, veçanërisht Muçi që meriton komplimente të veçanta. Në momentin që fitojmë, do të thotë që jemi në rrugë të mbarë, por natyrisht të gjithë ekipet në botë mendojnë për përforcime. Ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës, pasi këtë javë do të jemi pushim dhe do të duhet të punojmë më mirë. Në janar mund të ketë afrime, por mua më intereson të flas vetëm për lojtarët që kam aktualisht në dispozicion. Mos harroni që kemi marrë shumë të rinj nga akademia, si Muçi, Ismailgeci dhe Celhaka, por edhe të tjerë që po integrohen gradualisht.

A ka sot në Superiore një skuadër më të kompletuar sesa Tirana?

Në mesin e fazës së dytë, ose në fundin e saj, mund të krijojmë një ide më të plotë për kundërshtarët. Objektivat nuk i vë unë, por vetë emri i klubit dhe unë kam detyrimin vetëm të punoj e të përmirësoj ekipin. Dua të rritim ekuilibrin, të shmangim presionin e kundërshtarit dhe të shpresojmë të arrijmë objektivin final. Se sa do t’ia arrijmë, mbetet për t’u parë, por në përballjet direkte kemi marrë sinjale të mira.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco