Zëvendësuesin e Marash Kumbullës te Verona e duan tre klubet e mëdha të Serie A

Zëvendësuesin e Marash Kumbullës te Verona e duan tre klubet e mëdha të Serie A

21:34, 30/10/2020

Marash Kumbulla ishte zbulimi i Veronës sezonin e kaluar, teksa nga shitja e atij te Roma, klubi nga “Bentegodi” ia doli të arkëtojë plot 32 milionë euro, një shifër mjaft e rëndësishme kjo për një skuadër që ka si synim mbijetesën në elitën e futbollit italian.

Pas shitjes së Kumbullës dhe Rrahmanit, të gjithë kishin parashikuar vështirësi për prapavijën e skuadrës së drejtuar nga Juric, por kroati ka zbuluar një tjetër futbollist të talentuar, që po impresionon botën e futbollit në këto javë të para.

Bëhet fjalë për 20-vjeçari italian Matteo Lovato, të cilin Verona e bleu për 500 mijë euro në janar të këtij viti nga Padova dhe që e hodhi në fushë për herë të parë më 18 korrik në një ndeshje ndaj Atalantës.

Këtë sezon Lovato ka luajtur në të 5 takimet e Veronës, teksa 4 prej tyre i ka startuar si titullar dhe vetëm ndaj Parmës ka zbritur në fushë në fillim të pjesës së dytë, duke konfirmuar se është shndërruar në një pikë të fortë të formacionit të skuadrës së Juriç.

Paraqitjet e tij mjaft të mira, sidomos ndaj Juventusit fundjavën e kaluar, nuk kanë kaluar pa u vënë re nga klubet e tjera të Serisë A dhe menjëherë në dyert e Veronës kanë trokitur drejtuesit e Milanit dhe Interit, por të bardhezinjve nga Torino.

Të dy klubet e Milanos dhe Juventus kanë nisur një tjetër garë, këtë herë në merkato, pasi dëshirojnë të rrëmbejnë mbrojtësin e talentuar dhe janë gati t’i ofrojnë presidentit të Veronës plot 15 milionë euro për kartonin e tij.

Plani i tre “big”-ëve italianë është që të kompletojnë blerjen në janar dhe të lënë futbollistin në “Bentegodi” deri në fund të sezonit, për t’u rritur dhe për të fituar më shumë eksperiencë, para se të transferohet më pas verën e ardhshme.

Nga ana tjetër presidenti i Veronës, Maurizio Setti duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kartoni i 20-vjeçarit para fundit të sezonit, pasi shpreson që me paraqitjet e mira të Lovatos, t’i rritë sa më shumë vlerën e kartonit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco