Fantastik Kumbulla! Shënon në debutim dhe vulos fitoren e Romës në Europë

Fantastik Kumbulla! Shënon në debutim dhe vulos fitoren e Romës në Europë

21:05, 22/10/2020

Marash Kumbulla ka debutuar mbrëmjen e sotme në Europa League, pasi e ka nisur si titullar përballjen mes Young Boys dhe Romës e madje ka arritur të lërë gjurmë duke shënuar golin e fitores për verdhekuqtë.

Në Bernë ishin vendasit që kaluian të parët në avantazh, pasi morën një penallti të dyshimtë, të cilën e shndërroi në gol sulmuesi Nsame. Roma provoi të reagojë dhe arriti të rikthejë baraspeshën vetëm në minutën e 69’, kur Bruno Peres shfrytëzoi një asist të bukur të Dzekos dhe dërgoi topin në rrjetë.

Përmbysja u realizua vetëm 5 minuta më vonë, kur pas një goditjeje nga këndi, topi u largua nga mbrojtja vendase, por u hodh sërish në zonë nga Mkhitaryan dhe aty ishte Marash Kumbulla që i vetëm me portierin vendas, gjuajti saktë me kokë dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Mbrojtësi 21-vjeçar shqiptar iu bashkua Romës në shtator të këtij viti,në një operacion që kapi shifrën e 32 milionë eurove, ndërsa pas disa paraqitjeve mjaft të mira në kampionat, gjen edhe golin e parë me fanellën verdhekuqe.

Edhe kapiteni i Shqipërisë, Elseid Hysaj ishte titullar mbrëmjen e sotme në sfidën mes Napolit dhe holandezëve të AZ Alkmaar, që u mbyll me fitoren minimale 0-1 të këtyre të fundit, falë një goli të shënuar nga De Widt në minutën e 57’.

Hysaj qëndroi në fushë për 60 minuta dhe më pas i la vendin portugezit Mario Rui, ndërsa Gattuso freskoi skuadrën, por nuk ia doli të shmangë humbjen në sfidën e parë europiane të Napolit për këtë sezon.

Bindin gjermanët e Bayer Leverkusen, që shkatërruan francezët e Nice me rezultatin tenistik 6-2 mbrëmjen e sotme në “Bay Arena”, ndërsa Arsenali u largua me tre pikë nga Vjena, pasi mposhti me përmbysje 1-2 skuadrën e Rapidit.

Spanjollët e Granadës triumfuan 1-2 në transfertën holandeze ndaj PSV Eindhoven, ndërsa portugezët e Benficës fituan me rezultatin 2-4 në transfertën polake ndaj Lech Poznan.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco