Në prag të sfidës me Kazakistanin/ Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë: Vijmë për 3 pikët

Në prag të sfidës me Kazakistanin/ Trajneri Reja dhe kapiteni Berisha në konferencë: Vijmë për 3 pikët

08:30, 11/10/2020

Trajneri Edoardo Reja dhe kapiteni i konbëtares shqiptare të futbollit, Etrit Berisha kanë dalë sot në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes me Kazakistanin. Kapiteni i skuadrës theksoi se ekipi ynë e ka studiuar mirë kundërshtarin dhe se në ndeshje duhet të bëjë diferencën me grupin. Ndërsa drejtuesi i kuqezinjve foli për humbjen ndaj Lituanisë dhe tregoi pikat e forta të skuadrës kazake, por u shpreh se skuadra ka punuar fort gjatë këtyre ditëve dhe e rëndësishme është të paraqitet mirë.

Në fillim ishte Etrit Berisha ai që iu përgjigj interesit të mediave:

-Çfarë di mbi futbollin e Kazakistanit?

-Normalisht që nuk mund të them se di dhe shumë. Di që kanë një ekip, Astana, që luan edhe në Europa League disa herë dhe këto ditë që kemi pasur mundësi t’i shikojmë edhe në video, mund të them që ka një ekip goxha të mirë, sidomos në fazën e sulmit. Jemi munduar që të përgatitemi sa më mirë për këtë ndeshje.

-Të gjitha ekipet në grup kanë 3 pikë. Sipas teje, të gjitha skuadrat kanë mundësi të jenë ne vendin e parë apo Shqipëria është ende favorite e grupit?

-Po sigurisht që Shqipëria në këtë grup është favorite. Edhe ta marrim lojtar për lojtar, apo skuadër për skuadër, mendoj që jemi më të mirë. Mirëpo ndeshja e kaluar e ka treguar edhe që ekipet e tjera kanë mundësi për t’u kualifikuar dhe ne edhe pse jemi favoritë në letër, duhet ta tregojmë edhe në fushë dhe nuk kemi mundësi që të bëjmë shumë kalkulime sepse të gjitha ekipet kanë nga një fitore dhe janë njësoj. Ne që nga nesër duhet të fillojmë ta bëjmë diferencën në grupin tonë.

-Si ia dole të bashkoheshe me skuadrën sepse dimë që ke pasur një problem?

-Kjo ka qenë dhe periudha e fundit e merkatos dhe shumë klube në këtë periudhë kanë pasur probleme sepse kanë pasur lojtarë që kanë qenë pozitivë dhe kanë filluar të karantinohen dhe izolohen. Dhe me këtë dhe unë kam kërkuar dhe kam qenë edhe pak këmbëngulës me ekipin që të ndihmoj skuadrën sepse me siguri do të kishte nevojë për të gjithë ata lojtarë që mund të ndihmojnë ekipin. Me siguri që klubi e ka kuptuar dhe nuk ka pasur probleme përkëtë gjë.

-Duke qenë se je portier, nga cili lojtar i ekipit të Kazakistanit ke frikë?

-Kapiteni i skuadrës ishte njëri nga lojtarët më kyç që bënte lëvizje në të gjithë fushën dhe mendoj që lojtarët e sulmit, pasi kur pamë videot, ishin ata që bënin më shumë diferencën. Pastaj edhe të tjerë që vazhdonin me atë ritëm, duke i furnizuar me topa ata dhe me siguri që edhe me kundërsulmet e tyre duhet të shikojmë, mos t’i lëmë. Dhe pastaj, një gjë tjetër që ra në sy ishte edhe qendra e mbrojtjes, ishin goxha shtatlartë dhe në goditje standarte mund të jenë të rrezikshëm. Mirëpo, po përgatitemi maksimalisht për të gjitha këto gjëra dhe besoj se nesër nuk do kemi problem.

Trajneri Reja i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve :

-Shqipëria humbi ndaj Lituanisë në shtëpi. Si është komentuar kjo në Shqipëri dhe çfarë prisni nga kjo ndeshje me Kazakistanin?

-Ishte një moment i vështirë humbja me Lituaninë. Ne vinim pas fitores me Bjellorusinë dhe ishim në gjendje të mirë qoftë edhe psikologjike dhe fizike. Nuk e mendoja se do të humbisnim por ja që ndodhi dhe ndodhi për shkak të një gabimi. Por unë mendoj që rezultati i duhur ndaj Lituanisë duhet të ishte barazimi në fakt, për atë që dhamë në fushë, Sigurisht, asgjë nuk është kompromentuar sa i përket renditjes së grupit, siç e tha dhe Berisha. Jemi të gjitha skuadrat me tre pikë dhe të katër skuadrat e grupit duan të marrin rezultat sa më të mirë dhe të kualifikohen, të arrijnë të parat. Ne do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje sa më të mirë ndaj Kazakistanit. Mund të them se kemi punuar mirë gjatë këtyre ditëve dhe pres një rezultat pozitiv. E njoh mirë Kazakistanin dhe është një skuadër shumë e mirë dhe e organizuar dhe për këtë arsye kërkoj maksimumin e impenjimit dhe përqendrimit te kjo ndeshje.

-Sipas asaj që thatë ju, Shqipëria humbi ndaj Lituanisë prej një gabimi. Çfarë ndodhi me lojtarin?

-Siç e thashë, në ndeshjen me Lituaninë ne humbëm për shkak të një gabimi. Ishte një passim i gabuar prej njërit prej lojtarëve tanë, i cili në vend se t’ia jepte portierit topin, ia pasoi kundërshtarit, por këto janë gjëra që ndodhin në një ndeshje, kështu që duhet t’i mirëkuptojmë.

-Ju thatë që e njihni mirë Kazakistanin, por a mund të na thoni se cilët nga lojtarët janë më të rrezikshëm dhe mund të përbëjnë problem në ndeshjen e nesërme?

-Kazakistani është një ekip shumë i organizuar dhe veçanërisht në krah ka lojtarë shumë të fortë dhe teknikë. Izlankan është pikë referimi e kësaj skuadre, lojtar që sulmon por edhe kthehet mbrapa, ndihmon skuadrën, lojtar i lëvizshëm dhe përbën një rrezik konstant. Siç e thashë, përveç kësaj është ekip i qëndrueshëm dhe konsistent në lojë, si në aspektin fizik edhe në atë teknik. Veçanërisht mesfusha dhe sulmi, janë shumë të shpejtë, luajnë shpejt përpara dhe mund të venë në rrezik vazhdimisht sidomos gjatë kundërsulmeve.

-Trajneri foli për pikat e forta të ekipit të Kazakistanit. Çfarë mund të thoni për pikat e dobëta e skuadrës?

-Nuk mund të them që ka pika të dobëta. Kam parë një skuadër shumë të organizuar dhe sidomos në fazën defensive. Kur tërhiqen kanë thuajse pesë lojtarë në vijën mbrojtëse dhe është shumë e vështirë t’i çash në vijën mbrojtëse. Gjithsesi ne do të përpiqemi në krah dhe në sulm të shfrytëzojmë në maksimum karakteristikat tona për të shënuar. Por Kazakistani është skuadër e shpejtë dhe do të jetë e vështirë përballja nesër me të.

- Do kërkoni vetëm fitore apo jeni të kënaqur edhe me një rezultat tjetër?

-Mua më intereson që skuadra të bëjë një paraqitje të mirë dhe normalisht kur luan mirë, vjen edhe rezultati. Ne nuk duam kurrsesi të humbasim edhe nga fakti se ne vijmë nga një disfatë dhe do të ishte shumë mirë për skuadrën edhe në aspektin psikologjik. Dhe gjithashtu për të mos humbur statusin që ne kemi si favoritë të grupit. Sigurisht kur luhet, luhet për fitore dhe është e qartë se varet edhe nga skuadra që ke përballë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco