Hulian Rubio: Teuta ka 10% shanse, Granada nuk do të luajë...

Hulian Rubio: Teuta ka 10% shanse, Granada nuk do të luajë...

12:25, 17/09/2020

Hulian Rubio është i vetmi spanjoll që ka trajnuar në Shqipëri dhe më mirë se ai nuk e njeh askush futbollin tonë. Edhe pse u bënë vite që është larguar, ish-tekniku i Tiranës dhe Flamurtarit vazhdon të jetë i mirinformuar mbi atë që ndodh në Kategorinë Superiore.

Përtej vlerësimit që ka për Teutën, ai mendon se kanë shumë pak shanse përballë Granadës. Gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, 68-vjeçari zbulon se spanjollët nuk do të luajnë me më të mirët sot.

Duke e njohur kampionatin dhe ekipet shqiptare, sa shanse ka Teuta ndaj Granadës?
Pak, shumë pak. Ka “bonus” faktin që luajnë në shtëpi, por do t’u duhet shumë fat. E megjithatë, nëse bëjnë një lojë të shkëlqyeshme dhe Granada nuk do të jetë në ditën e saj, mund të ndodhë gjithçka.

Më përqindje si do t’i ndanit?
Teuta vetëm 10%, ndërsa Granada 90%.

A ju kanë kërkuar nga Granada ndonjë këshillë për Shqipërinë, pasi jeni i vetmi spanjoll që ka trajnuar në vendin tonë?
Këshilla jo, por informacion po. U dhashë pak, pasi nuk dija shumë.

Çfarë ekipi është Teuta për ju?
Shikoni, Spanja ka një nga dy ose tri kampionatet më të mira në botë dhe kjo dihet. Teuta këtu do të ishte një ekip i mirë i Ligës së Dytë ose një skuadër e dobët e së Parës. E them me shumë respekt këtë.

Është e frikshme Granada?
Vitin e kaluar ata bënë një kampionat të shkëlqyer, të cilin mund të mos e përsërisin këtë sezon. Megjithatë, ata kanë një grup që punon dhe lufton deri në minutën e fundit. Problemi është se ata nuk luajnë me më të mirët, besojnë dhe punojnë me zëvendësuesit dhe nuk i japin rëndësi rivalit dhe kjo është mungesë e respektit.

Nuk do të luajnë me më të mirët?
E kuptuat mirë, por nuk e di se si do të veprojë tekniku i tyre. Ai është i ri… Unë do të luaja me më të mirët përballë Teutës.

Cili është lojtari i spanjollëve që duhet ta ketë kujdes Teuta?
Granada është grup, ndonëse kanë një “veteran” si Soldado në ekip. Është 35 vjeç, por ka një të shkuar te Reali i Madridit e Valencia. Nuk duhet harruar “ylli” i ri i ekipit, Luis Mila.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco