La Liga: Real Madrid një hap larg titullit kampion, fiton ndaj Alaves

La Liga: Real Madrid një hap larg titullit kampion, fiton ndaj Alaves

08:22, 11/07/2020

Në stadiumin “Alfredo di Stefano” , Real Madrid mori tri pikë të rëndësishmë, pasi mbrëmjen e djeshme mposhti Deportivo Alavesin me rezultatin e pastër 2-0.

“Los Blancos” dominuan totalisht sfidën dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 11’ të takimit, kur golshënuesi i skuadrës Karim Benzema ekzekutoi saktë një penallti të akorduar nga arbitri kryesor i takimit për një faull në dëm të mbrojtësit francez Mendy.

Në fillim të pjesës së dytë ishte fantazisti spanjoll Marcos Asensio, i cili pasi mori një pasim nga Benzema, shënoi edhe golin e dytë për Realin e Madridit, duke mbyllur llogaritë e ndeshjes dhe duke shtuar tre pikë në renditjen e përgjithshme.

Në minutat e mbetura trajneri francez Zinedine Zidane kreu disa zëvendësime për të racionalizuar forcat, ndërsa miqtë nga Alaves u treguan të pafuqishëm për të rihapur takimin, duke bërë që rezultatai të mbetej i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

Me këtë fitore Reali e çon sërish në 4 pikë diferencën nga Barcelona e vendit të dytë dhe kur kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i kampionatit, mund të thuhet me plot gojën se ka vënë një dorë mbi titullin kampion.

Më herët Granada fitoi me rezultatin 2-3 në transfertën baske ndaj Real Sociedadit, e cila ishte edhe një sfidë direkte për një vend në zonën europiane të renditjes. Pjesa e parë foli për Granadën që shënoi dy herë, ndërsa Sociedad riktheu baraspeshën, por vetëm në minutat e fundit pësoi golin që i kushtoi humbjen.

Tani Sociedad mbetet në vendin e 7 me 51 pikë, por Valencia e Granada janë vetëm një pikë larg dhe mund t’i marrin vendin e fundit që të jep një biletë për në Europa League.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco