Bici tregon ‘hallin’ e pagave në Syri TV: S’duam të shkojmë nëpër gjyqe

Bici tregon ‘hallin’ e pagave në Syri TV: S’duam të shkojmë nëpër gjyqe

18:50, 22/05/2020

Bojkoti i stërvitjes nga ana e lojtarëve të Vllaznisë për shkak të mospagesës përkrahet edhe Ditmar Bici, i cili ka të njëjtin “hall”.

Mbrojtësi është pjesë e Bylisit, por edhe ai nuk është bashkuar me skuadrën mallakastriote në stërvitje, për arsye sepse ka probleme me rrogat.

Në një intervistë në Syri TV me gazetaren Enkeleida Zeko, Bici deklaroi se nuk dëshiron ta çojë problemin nëpër gjyqe, por shpreson që çdo gjë të zgjidhet sipas kontratës.

Kriza financiare – Ne ndryshe nga Vllaznia, kemi qëndruar në shtëpi. Arsyeja është se kemi katër muaj pa u paguar. Duke parë që nuk kemi gjetur zgjidhje ekonomike, kemi menduar të stërvitemi individualisht në Tiranë. Te Vllaznia ka bojkot të stërvitjes, por probleme ka në të gjithë futbollin shqiptar. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur gjë, por duhet gjetur zgjidhja nëpërmjet një kontrate kolektive.

Katër muaj pa u paguar – Probleme ka patur ndër vite me pagesat. Futbollistët paguhen 6-7 muaj në një vit. Kjo është çmenduri e vërtetë. Përjashto ndonjë lojtar që i ecën, të tjerët kanë probleme. Nëpërmjet Sindikatës kemi kërkuar që t’i jepet një zgjidhje situatës te Bylisi, sepse nuk mund të vazhdohet më kështu. Kontrata duhet të respektohet përpara se të shkohet në gjyq.

Stërvitja individuale - Tani po paguajmë për stërvitjen. Nuk po paguhemi, por po paguajmë trajnerë nga xhepi ynë për stërvitje individuale. Do të jetë një periudhë mjaft e vështirë për futbollistët, pasi po të ketë ndeshje çdo tre ditë. Aq më tepër problemi shtohet nga ana psikologjike, sepse kur nuk paguhesh, kjo rëndon më tepër. Duhet të mblidhemi të gjithë së bashku për të bërë diçka. Me këtë rast përgëzoj Vllazninë, që ka marrë hapin konkret të bojkotit.

E ardhmja - Personalisht jam në kontratë me Bylisiin deri më 30 qershor 2020. Nuk dua të shkoj nëpër gjyqe dhe do konsultohem me avokatin tim. Pagat besoj se do merren, por nuk doja që kjo gjë të shkonte kështu. Në Shqipëri na kanë mbetur tashmë edhe mospagesat, që do t’i marrim parasysh. Në gjuhën popullore i thonë na ka zënë, por duhet ta rregullojmë.

Sindikata – Momentalisht jam në Shkodër me kryetarin e Sindikatës, Andi Lila, dhe lojtarët e Vllaznisë dhe do të diskutojmë për të ardhmen. Futbollistët janë të vendosur të mos dalin në stërvitje. I bashkohem kauzës së tyre, pavarësisht se nuk jam pjesë e Vllaznisë, por si ata jam edhe unë. Të respektohen kontratat deri në fund, pa shkuar nëpër gjyqe.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco