Shkon në 21 numri i viktimave nga COVID-19/ Ndërron jetë boksieri i famshëm

Shkon në 21 numri i viktimave nga COVID-19/ Ndërron jetë boksieri i famshëm

18:46, 05/04/2020

Ka ndërruar jetë për shkak të komplikacioneve nga sëmundja e Covid-19, ish-boksieri Skënder Kurti.

61-vjeçari kaloi vdekje klinike në 23 mars, dhe u raportua si viktima e pestë e koronavirusit në Shqipëri. Por Kurti nuk ka mundur ta fitojë betejën me virusin vdekjeprurrës dhe ka ndërruar jetë sot më 5 prill.

Përveçse trajner, Kurti ka qënë gjithashtu edhe boksier kampion me ekipin e Tiranës, në të cilin zgjodhi më pas që të trajnonte të rinjtë.

Edhe pse në një moshë të re (61 vjeç) dhe i mësuar me sportin, pandemia globale nuk e ka kursyer duke i marrë jetën.

Me vdekjen e tij numri i viktimave nga COVID-19 në vendin tonë shkon në 21.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë: Ndërron jetë 61 vjeçari me COVID19 në spitalin infektiv

Ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv 61-vjeçari me inicialet S.K., i shtruar prej 20 ditësh në spital, në gjendje të rëndë, i intubuar. Më herët 61-vjeçari nga Tirana pësoi vdekje klinike dhe prej disa ditësh gjendja e tij ishte rënduar së tepërmi. 

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të Spitalit Infektiv në terapinë intensive, 61-vjeçari që vuante nga hipertensioni, nuk ia ka dalë të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Ministria e Shëndetësisë i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social.

Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Skënder Kurti:

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco