Van Persi tregon si sillej Ferguson me lojtarët e Manchester United: Ishte i pamëshirshëm

Van Persi tregon si sillej Ferguson me lojtarët e Manchester United: Ishte i pamëshirshëm

09:09, 31/03/2020

Holandezi Robin van Persie, ish-sulmuesi i “Djajve të Kuq”, ka zbuluar se si ish-trajneri legjendar i Manchester United, Sir Alex Ferguson, “masakroi” dy futbollistë të skuadrës së tij, madje duke u thënë se do t’i largonte, pas një humbjeje 1-2 ndaj Manchester Cityt në vitin 2013. 

Sulmuesi holandez kujton se një humbje në derbin me Cityn 2-1, pavarësisht se “Djajtë e kuq” ishin ende 12 pikë përpara komshinjve të tyre, nuk u prit mirë nga trajneri skocez, i cili i quajti yjet e tij “ko…” në dhomën e zhveshjes. 

Ish-sulmuesi kujton se dy prej shokëve të tij të skuadrës u poshtëruan përpara kolegëve, sepse kishin qenë në një festë një natë pas humbjes dhe nuk i kishin shpëtuar fokusit të fotografëve.

“Gjatë sezonit tim të parë tek United, ne ishim 15 pikë të shkëputur në krye. Prisnim Manchester Cityn, duke shpresuar që do të hipotekonim titullin. Humbëm, por ishim sërish 12 pikë përpara. Shumë trajnerë nuk do ta kishin bërë një dramë, por trajneri ishte me të vërtetë i nxehur.

Gjërat u përkeqësuan kur dy prej lojtarëve kishin dalë pas humbjes. Një ditë më vonë, Sër Aleks i vendosi fotot e gazetave në murin e dhomës së zhveshjes dhe iu drejtua të gjithë skuadrës me fjalët: ‘Çuna, nëse ne nuk e fitojmë këtë kampion ajo është për shkak se këta dy ko… që dolën jashtë. Unë i di emrat e tyre, por nuk mund t’i tregoj”, tregon Van Persi për “So Foot”.

“Trajneri i masakroi ata. Ishte fantastike. Ai vendosi fotot për të dokumentuar ku ata kishin qenë në orën 2, 3, 4 të mëngjesit dhe kështu me radhë, për të treguar sa idiotë ishin treguar. Dhe nuk e mbylli me kaq, por na paralajmëroi se nëse do të dëgjonte që njëri nga ne do të kishte dalë jashtë përpara sesa të kishim fituar titullin, atëherë do ta përjashtonte nga skuadra. Ai ishte i pamëshirshëm dhe na thoshte: ‘Nuk më intereson se kush jeni dhe sesa trofe keni fituar.

Nëse dilni dhe festoni përpara fundit të sezonit do t’iu shes’. Pas atij fjalimi, unë pata dy seancat më të vështira stërvitore të jetës time. Ne e fituam titullin. Por një trajner duhet ta dijë kur duhet të tregohet i ashpër dhe kur duhet të largojë presionin”. 

Ishte viti 2013 dhe Manchester United do të shpallej për herë të fundit kampion, ndërsa Ferguson do ta mbyllte karrierën e tij të lavdishme në “Old Trafford”, duke fituar 3 nga 9 ndeshjet e fundit në stol.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco