ENQA, caku kryesor ku Kosova synon që të kthehet sa më shpejt

ENQA, caku kryesor ku Kosova synon që të kthehet sa më shpejt

18:35, 23/09/2020

Drejtori i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Naim Gashi, ka thënë që synim i Kosovës është kthimi sa më i shpejtë në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), pas largimit të saj për shkak të ndërhyrjeve politike.

Në Express Intervistën në KTV, Gashi ka thënë se AKA-ja është duke bërë përpjekje që të përmbushë kriteret për kthim në ENQA. Një nga to është edhe pavarësia e plotë e AKA-së dhe mosndërhyrjet politike.

Pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike të mëhershme të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj e ministrit Shyqiri Bytyqi, ENQA dhe EQAR e patën përjashtuar Agjencinë.

Gashi ka bërë të ditur se një nga kriteret për rikthim në ENQA është edhe hartimi i një ligji për pavarësinë e këtij institucioni. Ka shtuar se pret që deri në pranverë të përfundojë kjo çështje, për të përmbushur një nga 12 kriteret për rianëtarësim në ENQA. Ai ka thënë se rikthimi në ENQA s’do të jetë i lehtë.

“Një nga prioritetet e mia krahas funksionimit në bazë të ligjit ka qenë kthimi në ENQA dhe fuqizimi i imazhit të Agjencisë Kosovare për Akreditim. E dimë që s’është e lehtë, por me punën me transparencë para të gjithëve dhe përmes punëve të mira synojmë t’ia përmirësojmë imazhin. Në 6 muajt e fundit s’kemi asnjë lajm negativ për ne, por kemi lajme të mira për ditë për punët e mira që po bën AKA-ja dhe KSHC-ja. Janë 12 kritere për kthim në ENQA. Një nga to është plotësuar në fillim të shtatorit për krijimin e një institucioni për ankesa. Konsiderohet e kryer, por në planin tonë po bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që t’i plotësojmë të gjitha këto kritere dhe të kthehemi në ENQA dhe EQAR”, ka thënë Gashi, që s’ka specifikuar periudhë për rikthim në ENQA.

Gashi ka shpjeguar punën në kohë pandemie duke thënë se kjo agjenci ka funksionuar nën “presion të madh ligjor”. Sipas tij, Kosova ishte vendi i dytë në Evropë, pas Estonisë, që ka bërë vlerësimin në distancë.

Ai ka zbuluar se në proces të akreditimit sivjet kanë qenë 14 institucione të arsimit të lartë, prej tyre pesë universitete publike dhe një kolegj privat kanë kaluar akreditimin e tetë kolegje jo. Tri të tjerave s’u është pranuar aplikacioni, pasi siç ka thënë Gashi, s’kishin përmbushur obligimet ligjore.

Gashi e ka cilësuar si ndër kriteret më të vështira për pranim në ENQA ‘analizën tematike’. Sipas tij, kjo kërkon hulumtim të mirë të tregut të lidhur me arsimin dhe bëhet për të sqaruar se çka konkretisht i nevojitet tregut të punës në Kosovë, e konform tyre duhet të bëhet vlerësimi i akreditimit të programeve të reja.

KOHA pati raportuar në qershor se Kosova synon rikthimin në ENQA në shtator të 2021-s.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco