'Jom njeri, s’jom rob', gratë protestojnë në qendër të Prishtinës

'Jom njeri, s’jom rob', gratë protestojnë në qendër të Prishtinës

13:16, 23/09/2020

Me motot ”Poshtë Patriarkati“, “Jom njeri, s’jom rob”, “Edhe sa thirrje të humbura”, “Gjyqësor Kanunor”, Organizata Replikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar të mërkurën në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në kërkim të përgjegjësisë institucionale për mos reagim në mbrojtje të të drejtave të grave.

 

Bjeshka Guri, aktiviste në organizatën “Replikë”, ka thënë se përmes kësaj proteste kërkojnë drejtësi për gratë, të cilat janë viktimë e dhunës dhe vrasjeve.

Krahas kësaj, ajo ka kritikuar institucionet, duke thënë se këto të fundit promovojnë kulturë dhune, duke fajësuar viktimën e duke mos dënuar kriminelët.

“Jetët e grave në Kosovë po rrezikohen çdo ditë, nga një kulturë e dhunës e prodhuar nga mendësia patriarkale në shoqërinë tonë, e të mirëmbajtur nga institucionet tona, ato dështojnë të reagojnë me kohë, për t’iu përgjigjur grave kur ato kërkojnë mbrojtje. Institucionet tona promovojnë një kulturë dhune, duke e fajësuar viktimën e duke mos dënuar kriminelët. Jemi lodhur duke pritur në ankth duke pritur për gratë që vriten e për ato që dhunohen. Prandaj të frustruar me gjendjen e krijuar lusim të gjithë njerëzit që besojnë në kërkesat e replikë, për drejtësi për gratë të bashkohen në protestë”, ka thënë ajo.

Me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19, kjo protestë u realizua me biçikleta, përmes marshimit nëpër rrugët kryesore të Prishtinës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco