Rebelohen fizioterapeutët, reagon SHSKUK

Rebelohen fizioterapeutët, reagon SHSKUK

13:27, 13/08/2020

ShSKUK-ja është sqaruar në lidhje me reagimin e Odës së Fizioterapeutëve, derisa thonë se neni i apostrofuar nga Oda e Fizioterapeutëve nuk përkon me gjendjen reale, pasi që jemi në kohë të situatës emergjente në shëndetin publik.

"Në lidhje me deklarimet dhe shqetësimet publike të Odës së Fizioterapuetëve të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, sqaron publikun se derisa të gjitha odat e profesionistëve shëndetësor kanë përkrahur dhe po përkrahin ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët me Covid-19, janë shqetësuese deklarimet e kësaj ode se fizioterapeutët do të tërhiqen nga ofrimi i shërbimeve shëndetësore për këta pacientë, edhe pse fizioterapeutët janë kyçur tek në muajin e fundit, me vendim të Komitetit të ShSKUK-së, për menaxhim të situatës me Covid. Derisa Oda e Mjekëve, Oda e Infermierëve, Sindikata e Infermierëve, Federata Sindikale e Shëndetësisë kanë qenë shumë bashkëpunuese dhe kanë ofruar përkrahje të plotë për mjekët dhe infermierët, që për mbi 6 muaj janë në vijën e parë të frontit, pa shfrytëzuar pushimet vjetore, është befasues reagimi i Odës së Fizioterapeutëve, që vetëm pas 1 muaji të kyçjes së fizioterapeutëve të bëjnë pengesa të tilla", thuhet në komunikatën e tyre.

Sipas tyre duke parë nevojat e mëdha për staf profesional dhe duke qenë se puna në shërbimet fizioterepeutike është ndëprerë, përjashtuar rastet emergjente, ShSKUK ka angazhuar fizioterapeutët, si pjesë e sistemit shëndetësor që gëzon të drejtat dhe benifitet sikurse stafi tjetër shëndetësor.

"Jemi në kohë të gjendjes emergjente në shëndet publik dhe shumë nga mjekët dhe infermierët duke pasur të vetmin qëllim ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe shpëtimin e jetëve të pacientëve, nuk kanë kursyer asgjë nga vetja e tyre, madje, madje, në shumë raste edhe kanë ndihmuar me bombola oksigjeni, andaj përjashtim nuk duhet të bëjnë as fizioterapeutët", thuhet tutje.

"Kreu III i Ligjit të Punës, i cili flet për sistemim e përkohshëm të punësuarit në vendin e punës, Neni 18, pika 1.1 parasheh që kur është krijuar gjendje e jashtëzakonshme si pasojë e tërmetit, zjarrit, vërshimeve ose fatkeqësive tjera natyrore elementare. Organizata Botërore e Shëndetësisë(OBSH) , Pandeminë e ka shpallur si gjendjen më të rëndë në shëndetësinë publike. Neni i apostrofuar nga Oda e Fizioterapeutëve nuk përkon me gjendjen reale, pasi që jemi në kohë të situatës emergjente në shëndetin publik".

Krejt në fund ata kanë thënë se shpresojnë se do të ketë reflektim nga kjo Odë, sikurse edhe Odat tjera, me të vetmin qëllim ofrimin e shërbimeve kualitative shëndetësore për pacientët, në kohën kur veç jemi në situatë emergjente në shëndet publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco