Kufoma e lehonës që vdiq nga COVID-19 qëndroi në korridoret e Mjekësisë Sportive 12 orë

Kufoma e lehonës që vdiq nga COVID-19 qëndroi në korridoret e Mjekësisë Sportive 12 orë

21:42, 13/07/2020 Nga AZH

Të premten që shkoi, nëna-lehona D.P 21 vjeç, nga komuna e Podujevës u bë viktima 97-të që humbi jetën nga virusi korona. Ajo ishte sjellë në gjendje të rëndë në Qendrën e Mjekësisë Sportive që tashmë është shndërruar në mjekim intensiv për rastet me COVID 19. Ndonëse parametrat e saj vital tregonin për momentet kritike që po kalonte, mjekët gjinekolog urdhëruan lindjen urgjente me prerje cesariane të premten rreth orës 17:00, në mënyrë që foshnja të mbijetonte.

Gruaja nga Podujeva nderoi jetë vetëm pak orë pasi solli në jetën vajzën e saj në javën e 35 të shtatëzanisë me gjithë tentimin e mjekëve për t'i ndihmuar.

Drama me 21 vjeçaren nuk përfundoi këtu. Trupi i saj i pajetë qëndroi rreth 12 orë në korridoret e Qendres së Mjekësisë Sportive.

Burime të Syri.net Kosova ka thënë se kjo gjë ndodhi për shkak të mos përgjegjësisë të personave që janë përgjegjës në Qendrën Operative Emergjente në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët nuk ju përgjigjen thirrjeve të shumta të stafit të autorizuar për njoftime të tilla.

Burime mirë të informuara thonë se lehona kishte ndërruar jetë saktësisht në orën 20:30 të së premtes së 10 korrikut.

Menjëherë pas përfundimit të procedurave të zakonshme teknike dhe administrative në raste të vdekjeve të personave të infektuar me COVID 19, stafi shëndetësor nga Qendra e Mjekësisë Sportive ka urdhëruar që të kontaktohet Qendra Operative Emergjente, në mënyrë që të procedojë më tutje rastin dhe, kufoma të dërgohet në morg deri në organizimin e varrimit nga kompania përgjegjëse apo edhe familja.

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga stafi i Mjekësisë Sportive, zyrtar të Qendrës Operative të Emergjencave, nuk janë përgjigjur asnjëherë gjatë asaj nate, deri në mëngjesin e së shtunës së 11 korrikut, duke e lënë që turpi i pa jetë i 21vjeçares të qëndrojë brenda hapësirave të Qendrës së Mjekësisë Sportive mbi 12 orë, ani pse në atë objekt nuk ka kushte për qëndrim të kufoma më shumë se dy orë, marr parasysh faktin se viktima ishte e prekur me virusin korona dhe përhapja e infeksionit mund të jetë edhe më e lehtë.

Syri.net Kosova, ka kontaktuar përgjegjësin e Njësisë Intensive në Qendrën e Mjekësisë Sportive, doktor Gazmend Spahija, i cili ka thënë se nuk është në përgjegjësinë e Mjekësisë Sportive të merren me pacientët e vdekur, dhe se kjo gjë i kalon në përgjegjësi Qendrës Operative Emergjente në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Neve si staf mjekësor na takon të bëjmë njoftimin Qendrës Operative, e cila e ka për obligim të merret me tutje me kufomën dhe të njoftoi kompaninë për funerale që pastaj të organizohet varrimi dhe të gjitha procedurat tjera. Detyra jonë si mjek përfundon në momentin që përgjigjet Qendra Operative, ne nuk merremi më tutje me rastin.”

Burimet e Syri.net Kosovës bëjnë me dije se stafi i Mjekësisë Sportive ka kontaktuar edhe kompaninë për funerale “Loti” që ka marrëveshje më Shërbimin Spitalor që nga fillimi i pandemisë, duke I thënë që ta dërgojë kufomen së paku në morg, por këta të fundit nuk kanë pranuar pasi kanë thënë se një kërkesë e tillë duhet të ju vije nga Qendra Operative Emergjente.

Syri ka kontaktuar kompaninë për funerale, “Loti” për të sqaruar rastin, të cilët kanë thënë se me të marrë njoftimin të premten në mbrëmje kanë shkuar e kanë përgatitur kufomën në bazë të rekomandimeve të IKSHP-së por nuk kanë pranuar ta bartin trupin deri në morg, pasi që për ta bërë një gjë të tillë duhet të kërkohet nga Qendra Operative.

“Ne punojmë vetëm me udhëzimet e QOE-së. Sa i përket rastit në fjalë, kemi shkuar e kemi mbyllur hermetikisht arkivolin, por nuk mund ta dërgojmë në morg ose t’i dorëzojmë familjes pa na kërkuar QOE, sepse ajo i organizon të gjitha këto procedura. Pastaj e marrim ne trupin e pajetë dhe varrosim sipas kërkesave të familjes gjithmonë me rekomandimet e IKSHP-së.”

Në pyetjen tonë se kur është njoftuar kompania “Loti” nga Mjekësia Sportive që ta marrin trupin, ata kanë thënë se nga puna e tepërt që kanë këtyre ditëve nuk i kujtohet ora e saktë pasi nuk mbajnë evidenca të tilla.

Syri.net Kosova ka kontaktuar edhe përgjegjësin e Qendrës Operative Emergjente, Pashk Buzhalen, për ta sqaruar këtë çështje por ai se është në përgjegjësinë e QOE-së koordinimi me kompaninë për funerale apo edhe njoftimi i familjarëve për të vdekurin dhe organizimin e varrimit.

“Ne veç i lehtësojmë punën se na nuk e kemi për obligim me marr kufomën me dërgu të familja apo në morg, atë e bën kompania e funeraleve, bile edhe vet klinikat i thërrasin kajher familjarët dhe i njoftojnë. Është kompania e funeraleve që e merr kufomën edhe e dërgon në morg nëse pacienti ka ndërruar jetë në mesnatë. E gjitha që ne bëjmë është vetëm sa për të ditur se ku ndodhet kufoma”.

Në pyetjen tonë se pse nuk i janë përgjigjur thirrjeve të Qendrës së Mjekësisë Sportive dhe në çfarë orë kanë filluar përgatitjet e kufomës së të ndjerës D.P, Buzhala ka thënë se njoftimin e kanë marr në mëngjesin e së shtunës dhe se menjëherë e kanë proceduar rastin. Për me tepër Buzhala ka thënë se trupi duhet të qëndroj disa orë deri sa të bëhen të gjitha verifikimet mjekësore.

Syri ka insistuar që të dijë saktë se kur i janë përgjigjur thirrjes, por ai nuk kanë dashur të jap të dhëna duke thënë se nuk e dinë në çfarë ore por ka ndodhur në mëngjes.

Në gjithë këtë hedhje topi, janë familjarët ata që e përjetuan më së rëndi humbjen e vajzës së tyre 21 vjeç, e cila po pritej të bëhej nënë për herë të parë, ndërkaq trupi i të ndjerës nuk u trajtua ndërgjegjshëm as pas vdekjes. Arkivoli që barte trupin e saj deri në orën 9 të mëngjesit të së shtunës qëndroi në korridoret e Qendrës së Mjekësisë Sportive, deri në dorëzimin e familjes për procedurat e varrimit./Syri.net Kosova

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco