Çerdhet hapen....por edhe nuk hapen...

Çerdhet hapen....por edhe nuk hapen...

09:27, 01/06/2020 Nga Ç.D

Ndonëse Qeveria në detyrë në krye me Albin Kurtin, në mbledhjen e fundit ka marrë vendimin masat e reja lehtësuese në kuadër të Fazës së Tretë, që normalisht hyjnë në fuqi nga dita e sotme, disa prej tyre nuk po respektohen.

Një nga vendimet që u mor në mbledhjen e djeshme ishte edhe rihapja e kopshteve dhe çerdheve mosha 0-5 vjeç, shkruan Syri.net Kosova.

Ani pse tashmë çerdhet në Kosovë kanë të drejtë të ushtrojnë punën e tyre, kjo nuk po ndodh me të gjitha komunat, madje as me kryeqytetin.

E sa i përket kësaj çështje e cila ngjalli reagime të shumta, sqarime ka dhënë edhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami e cila tha se do të hapen vetëm çerdhet që janë gati, ndërsa për të tjerat ka thënë se do të hapen në ditët në vazhdim.

Ajo në një njoftim ka bërë të ditur se MASHTI-i ka kërkuar nga komunat që institucionet parashkollore të cilat nuk janë të përgatitura sa u përket masave rreth Covid 19, hapjen e çerdheve dhe kopshteve mund ta bëjnë ditëve në vijim, pasi të jenë siguruar se janë krijuar kushtet e duhura.

E pak para këtij sqarimi nga MASHT, thirrje për të mos i dërguar fëmijët në çerdhe i pari ishte kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“U përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor. Po ashtu u përmenden edhe rregullat strikte për çerdhet. Por nuk kemi marrë asnjë informate zyrtare e as informatë mbi rregullat. Ne presim që Ministria e Arsimit të qartësojë situaten dhe rregullat, po shpresojmë sonte.

Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri ti marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë”, ka shkruar Ahmeti.

Pas Ahmetit ishte Komuna e Vushtrrisë, e Gjakovës si dhe ajo e Shtimes ku përmes njoftimeve të tyre bënë të ditur se çerdhet në komunat e tyre nuk do të hapen sot më 1 qershor.

Kjo pasi ata vlerësojnë se nuk mund të realizohen përgaditjet e duhura për të hënën në mëngjes kur vendimi mirret të dielen në ora 22:00.




 

Por është komuna e Kamenicës ajo që e ka mirëpritur këtë vendim, të cilët kanë vendosur që t’i rihapin çerdhet nga dita e sotme.

Në shkrimin e postuar nga komuna e Kamenicës janë lutur që të gjithë prindërit t’i sjellin fëmijët e tyre në çerdhe.


Pas gjithë këtyre reagimeve dhe paqartësive rreth rihapjes së institucioneve parashkollore ka reaguar edhe analisti Ehat Miftaraj.

Ai thotë se planifikimi, koordinimi dhe bashkëpunimi mes Qeverisë dhe komunave është në nivelin zero.

“Qeveria, cerdhet hapen neser. Disa komuna po thojne se cerdhet nuk hapen neser, ka nevoje per me shume pergatitje. Planifikimi, koordinimi dhe bashkepunimi ne nivelin ZERO.Ku mbet ajo rima, qeverisje me qytetarin dhe per qytetarin???”,shprehet Miftaraj. /Syri.net Kosova





 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco