Virusi që preku edhe gazetat

Virusi që preku edhe gazetat

21:22, 08/04/2020

Nga: Arta Berisha

Të gjitha gazetat ditore në Kosovë kanë ndërprerë publikimin në shtyp. Gazetarët punojnë nga shtëpia me orar të shkurtuar. Ka prej tyre që edhe kanë humbur punën tërësisht. Pak kush mund t’i ndihmojë sot ata kur publiku ka më së shumti nevojë, për shkak se virusi e ka goditur rënë ekonominë.

Koronavirusi po e përshpejton mbylljen ose kalimin online të gazetave në gjithë botën dhe Kosova nuk mund të bëjë përjashtim. Nëse para gjendjes pandemike, plani i një gazete ishte t’i mbijetojë versionit në shtyp edhe për disa vite, detyrimet për distancë sociale dhe për t’u izoluar, të imponuara nga sëmundja e re, sikur i kanë hedhur në ujë planet dhe parashikimet. Rrjeti më i madh i gazetave në Amerikë “Gannett” pjesë e seciles është edhe USA Today, pak ditë më parë njoftoi punonjësit e saj se do t’i ulë pagat në të gjithë kompaninë për shkak të rënies së të hyrave nga reklamat si pasojë e pandemisë coronavirus. Mediat raportuan se kryeshefi ekzekutiv Paul Gascobert në letrën dërguar punonjësve, masat i klasifikoi si sakrificë kolegtive për të mbajtur shtypin në jetë në kohën e pandemisë. Një gazetë lokale ne Seattle te Uashingtonit, njoftoi lexuesit se nuk do të dalë në treg për herë të parë pas 30 vitesh që kur nisi botimin. The Stranger, largoi nga puna 18 punëtorë ndërsa në faqen e saj online apelon lexuesit që të dhurojnë para në mënyrë që publiku të mund të informohet. Gazeta nënvizon se koronavirusi është një kërcënim i madh dhe se 90 përqind e të hyrave janë nga reklamat për ngjarje që i bëjnë njerëzit bashkë. Këto ngjarje tashmë janë anuluar, rrjedhimisht edhe reklamat për to. Një artikull i publikuar në Institutin Poynter tregon për tatpjetën që e kanë marrë mediat amerikanë vecanërisht, gazetat ditore javore dhe revistat në dy muajt e fundit, pas shpërthimit të sëmundjes në Amerikë. Në Kosovë pushimi i veprimtarisë së shtypit të shkruar rrezikon të kalohet në heshtje edhe për shkak të krijimit të traditës së re për të lexuar lajmet në internet pa dhënë asnjë cent në emër te tyre.

Që nga paslufta, lexuesit kosovarë kanë pasur nëpër duar më shumë se 10 gazeta të ndryshme ditore por shumë prej tyre nuk i mbijetuan tregut ndër vite.

Kur Kosova hyri në javën e tretë të pandemisë, nisur nga momenti kur u regjistrua i infektuari i parë, kanë kaluar në versionin online të punës, katër gazeta ditore: Koha Ditore, Zëri, Epoka e Re dhe Bota Sot. Ishte fillimisht Koha Ditore që njoftoi lexuesit e saj se gazeta do të shpërndahet online dhe falas nëpërmes portalit Koha.net. Gazetat e tjera ditore, nuk bënë njoftime të veçanta por burimet zyrtare thonë se shtypi dhe shpërndarja e tyre është ndërprerë në ditët e para të shpërthimit të koronavirusit në Kosovë, në datat 15 dhe 16 mars. Ndërsa akoma nuk ka vlerësime të gjendjes së bizneseve si pasojë e rënies së aktivitetit ekonomik, projeksionet mund të bëhen kur për referencë i marrim gazetat.

Gazeta ditore Zëri largoi nga puna rreth 20 punonjës, në mesin e tyre edhe disa gazetarë, pak ditë pasi ndërpreu botimin e gazetës pas shpërthimit të koronavirusit. Lajmin ë bëri të ditur për publikun Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ndërsa drejtuesit e Zërit nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim. Nga burime të tjera mësohet se Zëri i largoi nga puna të ngarkuarit me faqosjen e gazetës, punonjës nga sektori i marketingut, i sigurisë dhe i radios Prishtina. AGK reagoi me shqetësim për këtë zhvillim duke konstatuar se nuk është respektuar ligji i punës, dispozitat për shkëputje të marrëdhënies së punës. Burime të tjera bëjnë të ditur se gazeta Zëri ka ndërprerë shtypjen dhe shpërndarjen e gazetës në letër me datë 15 mars dhe për momentin shpërndarja e saj në shtatë ditë të javës në të ardhmen, është në pikëpyetje.

Dy gazeta të tjera Bota Sot dhe Epoka e Re të cilat printohen në shtypshkronjën e gazetës Zëri po kështu ndërprenë shpërndarjen dhe printimin që nga data 16 mars. Mimozë Lakna, kryeredaktore në Bota Sot, tha se aktualisht janë duke punuar me orar të shkurtuar,  nga katër orë në ditë. “Rrjeti i shtypit dhe shpërndarjes nuk është në funksion për shkak të gjendjes me koronavirus,” konfirmoi ajo.  Data 31 mars e paraparë që gazeta të kthehet në shtyp duket se ka kaluar pa u vënë re, për shkak të shtrirjes së sëmundjes gjithandej vendit. Muhamet Koci, gazetar i politikës në Epoka e Re, tha se menaxhmeti i gazetës ka vendosur që prej 15 marsit puna të bëhet vetëm online.

Nëse një gazetë lokale në një shtet të Amerikës, reklamon aktivitete që bëjnë njerëzit bashkë siç mund të jetë koncerti apo restorantet, gazetat në Kosovë u bëjnë marketing njoftimeve qeveritare apo qendrave tregtare të cilat po kështu janë mbyllur përkohësisht dhe nuk janë të interesuara të paguajnë për marketing.

Nga kjo situatë ndryshe është mbajtur gazeta Koha Ditore. Përdoruesit e internetit kanë rastin ta lexojnë gazetën falas në formatin PDF në faqen online të gazetës. Koha Ditore ndërpreu publikimin në versionin e shtypur të gazetës, por puna për t’i ofruar lexuesve një numër të ri të gazetës në secilën ditë të javës, në formatin digjital nuk është ndërprerë. Agron Bajrami, kryeredaktor në Koha Ditore, thotë se kompania ka ndryshuar puna dhe orari i punës së gazetarëve për shkak të pandemisë por masa ekonomike nuk janë marrë ende.

“Synimi është të forcohet edicioni online i gazetës por versioni i shtypur do të vazhdojë sa të krijohen kushtet,” tha ai.

Interesimi për lajme në kohën e pandemisë është shumë i lartë. Një raport i brendshëm i Facebookut i cituar nga New York Times thotë se më shumë se gjysma e të gjitha lajmeve të lexuara në Amerikë janë për virusin. Raporti që është postuar nga një ekspert i të dhënave në kompani e konsideron këtë si një rritje të paprecedent të konsumit të lajmeve në Facebook. Gjendja pandemike për shkak të koronavirusit brenda pak kohe dëshmoi se mund të pushojë aktivitetin e gazetave në mbarë botën, por përtej kësaj, në Kosovë kjo situatë mund të prodhojë rezultate edhe më negative. Se a do t’i joshë disa pronarë gazetash puna në redaksi të vogla me më pak njerëz, rrjedhimisht me më pak gazetari? Kjo është një pyetje që do të kërkohet përgjigje pasi të mbarojë gjendja pandemike. Tradita e konsumit të lajmeve ditore pa paguar për to e krijuar në vitet e fundit me vërshimin e portaleve, rrezikon zëvendësimin e gazetarisë objektive me shtypin e verdhë apo gazetave partiake që ulin respektin për gazetarëve dhe besimin ndaj punës së tyre.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco